Transmetuar më 15-01-2017, 21:45

Davide dhe Luiza janë një çift italo-shqiptar të cilët kanë braktisur Italinë duke u zhvendosur në Shkodër, të bindur se mund ta kenë më të lehtë jetën. Ata kurorëzuan dashurinë e tyre 8 vite më parë dhe siç zakonisht ndodh me vajzat shqiptare, Luiza Kolndreu u zhvendos ne Genova pranë bashkëshortit.

Vështirësitë duket se e bënë të pamundur të vijonin më tej jetën atje ndaj si zgjidhje zgjodhën Shqipërinë, duke u zhvendosur në Shkodër ku dhe hapën biznesin e tyre, një pub.

Davide Malinarich shprehet i kënaqur për jetesën në Shkodër dhe thotë për News24 e BalkanWeb se janë shumë italianë si ai që po largohen nga Italia. Davide nuk është optimist për kthimin në vendin e tij.

“Ndjehem mirë që kam ardhur në Shkodër. Në Itali është shumë e vështirë për biznes. Kemi patur një lokal atje por tashmë ka shumë taksa, s’ka kohë për të pritur asgjë dhe jetesa atje është bërë shumë e vrullshme. Fillimisht kemi patur vështirësi në Shkodër por tashmë jemi të kënaqur. Këtu është më mirë dhe nuk jam vetëm unë, shumë italianë po largohen nga Italia. Kam ardhur për të investuar këtu dhe besoj se s’do të kthehem më në Itali. Këtu ke më shumë kohë dhe të mendohesh më gjatë ndërsa në Itali jo. Jeni një popull i mirë dhe po ambientohem. Shpresoj që të bëj edhe pasaportën shqiptare sepse më pëlqen”, thotë Davide.

Luiza, bashkëshortja e Davide me të cilin ka edhe dy vajza shprehet se është rikthyer në qytetin e saj duke lënë Italinë sepse sheh një zhvillim pozitiv në Shkodër.Luiza ka edhe disa këshilla për të rinjtë teksa i kërkon që të mos emigrojnë sepse vetëm ata mund ta mbajnë qytetin e tyre.