Transmetuar më 14-01-2017, 02:18

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar se do të rishikojnë dialogun me Serbinë në disa aspekte.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se sjellja e Qeverisë së Serbisë në raport me dialogun dhe me qasjen e përgjithshme që synon normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, kanë qenë destruktive dhe ato po vazhdojnë të jenë të tilla.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, duke folur për radion Evropa e Lirë, vlerëson se sjelljet destruktive të Serbisë janë strategji e konsoliduar mirë e qeverisë së këtij shteti.

Përballë kësaj situate, sipas tij, pavarësisht që Qeveria e Kosovës i është qasur seriozisht normalizimit të marrëdhënieve me shtetin serb, ajo është e shtrënguar që të reagojë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e shtrënguar që të rishikojë disa aspekte lidhur me dialogun me Serbinë, sepse esenca e dialogut është që të zbatohen marrëveshjet. Natyrisht, çdo vendim, Qeveria e Republikës së Kosovës, në këtë drejtim, do ta marrë duke pasur në konsiderim interesin më të lartë dhe interesat nacionale të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Murtezaj.

Zëvendësministri Murtezaj ka shtuar se zyrtarët e Qeverisë së Serbisë tashmë e kanë bërë të qartë se nuk iu ngutet për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën dhe sipas tij, në këtë kuptim, ata shpeshherë i kanë bërë presion edhe Bashkimit Evropian.

“Pala serbe nuk është fare e interesuar. Përkundrazi, është duke e sabotuar procesin e normalizimit, në mënyra nga më të ndryshmet”.

Kohët e fundit, e sidomos pas ndalimit të ish kryeministrit të Kosovës dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze, në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë në Interpol, janë shtuar zërat nga shoqëria civile, e sidomos nga partitë opozitare në Kosovë, që dialogu me Serbinë të ndërpritet.

Qeveria e Kosovës nuk ka shprehur ndonjë qëndrim se një gjë e tillë mund të ndodhë, ndërkohë që Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratojë një rezolutë me kërkesën për lirimin e Haradinajt, për shkak se një nga pikat e rezolutës rekomandonte ndërprerjen e dialogut me Serbinë.