Transmetuar më 13-01-2017, 18:29

Kandidati për kryeministër Nikolla Gruevski nuk pranon dy prej kushteve të Ali Ahmetit për bashkëqeverisje.

VMRO-DPMNE e njoftoi zyrtarisht sot kur tha se nuk pranon shtrirjen e gjuhës shqipe në gjithë Maqedoninë dhe as zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale. “Koalicioni me 25 parti ‘Për një Maqedoni më të mirë’, udhëhequr nga VMRO-DPMNE konfirmon se shtrirja e dygjuhësisë në gjithë territorin e vendit dhe zgjatja e mandatit të Prokurorisë Speciale nuk negociohen”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE. Në deklaratë thuhet se kjo parti është e gatshme që të heqë dorë nga pushteti dhe nuk pranon këto dy kushte, duke këmbëngulur se sanksionimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në gjithë Maqedoninë në Kushtetutë nuk do të pranohet dhe as zgjatja e mandatit të Prokurorisë Speciale për përgjimet, që e konsideron të jashtëligjshme. “Kjo prokurori nuk ka të bëjë me drejtësinë. Është një instrument në duart e një grupi njerëzish që përdoret për të shantazhuar politikanët që luftojnë për interesat kombëtare të Maqedonisë”, thuhet në deklaratë. Më herët, Kryesia Qendrore e BDI-së doli me një deklaratë me katër kushte të panegociueshme për formimin e qeverisë. Së pari, BDI radhit përdorimin e barabartë dhe zyrtar të gjuhës shqipe, integrimin në NATO, integrimin në BE dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale.