Transmetuar më 13-01-2017, 13:00

Dituria e ka namin të mirë, por ka mbetur pa martuar. Vijnë djem për ta parë Diturinë nga katundet e tjera, nga Italia, nga Greqia. Asnjërit s’i mbushet mendja. Dituria është e zbehtë, ata e duan faqekuqe.

Nga Edison Ypi

Pasi i vdiq gruaja Shpresa, Besimit të dobësuar i mbetën 12 jetima; 7 djem, Shkëlqimi, Guximi, Krenari, Durimi, Përparimi, Gëzimi, Fatmiri, dhe 5 vajza, Zana, Dituria, Pranvera, Kujtesa, Drita. Një ditë, një mik që quhej Ngushëllimi, i tha Besimit; Ty Besim nuk të duhet një mjek që t’i përkeqësojë të gjitha sëmundjet, por një sëmundje që t’i shërojë të gjithë mjekët. Pas këshillës së Ngushëllimit, Besimi hoqi dorë nga doktorat. Por u bë më keq. Rënkon dhe kollitet pa pushim, mezi lëviz, as ha as pi, sytë i kanë vënë perde, veshët i janë taposur, zëri i ka ikur. Tani Besimi nuk i duhet as dreqit.

Djali i madh, jetimi Shkëlqim, është nxirë i tëri. Janë hapur fjalë se nusja e Shkëlqimit, legjendarja Besa, e tradhton me një komshi ngordhalaq, Luanin.

Guximi, bashkë me gruan Lumturinë dhe nipçen Fitimin, ikën larg, ku njerëzit hanë pilaf me shkopinj dhe flasin sikur cicërrijnë. Kur marrin në telefon thonë se po u vete mbarë, por nga zëri i fikur dhe numri i celularit që nuk del në ekran, kuptohet që gënjejnë.

Krenari ikën e vjen kryeulur në Greqi ku ka ndërruar emrin, nga Krenar, e ka bërë Dhjaks.

Durimi u çmend kur pa në një gazetë se i kishin shpikur një pseudonim.

Përparimit i gjetën kufomën 3 ditë pasi kishte vdekur nga asfiksia brenda një kamioni duke ikur fshehtaz në Angli.

Gëzimi u ngatërrua me një trafik droge dhe u zhduk pa nam e nishan.

Fatmiri po pret përfundimin e një gjyqi për kthim pronash që s’ka për ta fituar kurrë.

Zana u fejua dhe iku në Itali me një djalë nga Peqini, Shpëtimin. Fejesa u bë një të premte tek pazari i Rrogozhinë mes erës së qofteve dhe duhmave të rakisë. Babai Besimi dyshoi pakëz për dhëndrin me Benz të madh dhe zinxhira floriri në qafë, por s’foli. Tha vete; “Kështu e ka kjo jetë, ai që duket i keq del djalë flori, ai që duket i mirë del ibret”. Pas nja tre a katër muajsh u muar vesh se vëllezërit e një tjetër Zane me të cilën sapo ishte fejuar, dhëndërr Shpëtimin e kishin sharruar copa-copa, e kishin futur në një thes, thesin e kishin hedhur në një hendek në një fshat të Rroskovecit. Mirëpo ngaqë Zana kishte nisur të dërgonte ndonjë lek nga Italia, askush s’e zuri në gojë atë sharrim. Mbetën në pritje që një ditë, kur vetë Zana ta shihte të arsyeshme ta braktiste zanatin më të vjetër të botës të vinte këndej përgjithmonë për të mbajtur premtimin e dhënë solemnisht se me paret e kurvërisë do ndërtonte një shtëpi të re me tre kate dhe me pishinë.

Dituria e ka namin të mirë, por ka mbetur pa martuar. Vijnë djem për ta parë Diturinë nga katundet e tjera, nga Italia, nga Greqia. Asnjërit s’i mbushet mendja. Dituria është e zbehtë, ata e duan faqekuqe. Ajo është delikate, ata e duan të bëshme. Ata e duan të shkathët, ajo është e javashme. Ata e duan n4përkë, ajo është zonjë. Dituria beqare pi ndonjë kafe me djalin e xhaxhait, Kujtimin, edhe ai beqar. Dituria i ngrys ditët para pasqyrës duke parë se si muzgjet ja shtojnë nuret.

Pranvera nuk merret vesh kur hyn e del, kur ikën e vjen.

Kujtesa është harruar, ca thonë në Australi, ca në Arabi.

Drita është futur në një shpellë prej ku refuzon të dali para se ta zbërthejë kuptimin e vdekjes për së gjalli.