Transmetuar më 12-01-2017, 12:41

Paris, 12 janar 2017, NOA.al- Gjykata franceze liron me kusht kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Vendimi është marrë të enjten në seancën dëgjimore për rastin Haradinaj, pasnë seancën dëgjimore për rastin Haradinaj, pas paraqitjes së kërkesës për ekstradim nga autoritetet e Serbisë dhe një kërkese të palës mbrojtëse për lirimin e tij, u shpreh avokati i Haradinajt, Arianit Koçi.

Ish- kryeministri i Kosovës do të duhet të paraqitet dy herë në javë pranë autoriteteve franceze dhe nuk mund të largohet nga shteti ku u ndalua.

Avokati tha se argumentoi kërkesën për lirimin e zotit Haradinaj “bazuar në gjykimin e përfunduar në Gjykatën për krime lufte në ish-Jugosllavi që ka trajtuar çështjet që pretendon pala serbe”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh e befasuar me vendimin e autoriteteve gjyqësore franceze, që kryetari i saj të mos kthehet në Kosovë.

"Ne konsiderojmë se vendimi që ai të lirohet nga paraburgimi, por jo edhe t’i lejohet kthimi në atdhe, nuk është drejtësi e plotë. Ne apelojmë tek organet e dreqësisë në Francë që të përshpejtojnë procedurat dhe t’i japin fund çfarëdo mase kundër Ramush Haradinajt, meqë ai i ka spastruar të gjitha pretendimet për krime lufte në procesin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi", thuhet në reagimin e kësaj partie.

Ndërkohë të martën pala serbe u dërgoi autoriteteve franceze kërkesën për ekstradimin e ish-Kryeministrit të Kosovës drejt Beogradit.

Përmes saj u kërkua që Haradinaj, i cili u arrestua më 4 janar, të ekstradohej nga paraburgimi i Colmar në Francë, drejt Serbisë.

Ramush Haradinaj u arrestua më 4 janar në Francë në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia të vitit 2004, i dyshuar për krime lufte. /a.y/noa.al