Transmetuar më 12-01-2017, 08:17

Pasi u eliminua nga Partia Demokratike nga gara për një mandat të dytë në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Luzi (Lleshi) do të kthehet sërish në një funksion në administratën publike.

Ish-kryetarja e KQZ-së do të nisë punë si drejtoreshë në Kuvendin e Shqipërisë. Luzi është parë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ditën e martë.

Luzi ka konfirmuar rikthimin në Kuvendin e Shqipërisë në një detyrë të njëjtë me atë që ka pasur para se të zgjidhej si kryetare e KQZ-së katër vite më parë, e kontaktuar nga “Panorama”.

Lefterije Luzi do të marrë funksionin e drejtoreshës së Shërbimeve të Komisioneve Parlamentare, funksion i cili prej disa muajsh ishte vakant. Ky post është mbajtur për disa vite nga Tomi Kola, ish- drejtor i Qendrës së Regjistrimeve të Biznesit (QKR). Drejtoria e Shërbimeve të Komisioneve Parlamentare është një prej drejtorive të rëndësishme të Kuvendit dhe që bashkëpunon ngushtë me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Lefterije Luzi mbante një nga detyrat e rëndësishme në administratën Jozefina Topalli, atë të drejtoreshës së Shërbimeve Juridike dhe detyrën e anëtares së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si përfaqësuese e Kuvendit.

Duke qenë se ky funksion aktualisht është i plotësuar, ajo do të jetë drejtoreshë në shërbimin e komisioneve parlamentare. Rikthimi në detyrën e mëparshme është një e drejtë ligjore që u është njohur anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në nenin 17 të Kodit Zgjedhor, që flet për të drejtat dhe detyrat e anëtarit të KQZ-së, në pikën 5, specifikohet se:

“Pas mbarimit të funksionit, anëtari i KQZ-së rikthehet në funksionin publik të mëparshëm dhe kur kjo nuk është e mundur, në një vend të të njëjtit nivel në organet e administratës publike”. Edhe pse në vendin tonë të drejtat për t’u rikthyer në një funksion janë të përcaktuara në ligj, shpeshherë ato mbeten si vendim i vullnetit politik.

Për 6 muajt e mbetur të mandatit të këtij Parlamenti, Lefterije Luzi do të jetë një ndër bashkëpunëtoret e ngushta të Ilir Metës.

“Shërbimet e Kuvendit kryejnë detyra këshillimore, informuese organizative dhe teknike, në shërbim të veprimtarisë së deputetëve, Kuvendit dhe organeve të tij. Shërbimet e Kuvendit krijojnë mundësi dhe kushte të barabarta që deputetët, Kuvendi dhe organet e tij të kryejnë detyrat kushtetuese dhe ligjore.

Shërbimet e Kuvendit përbëhen nga: a) shërbimet legjislative, në përbërje të të cilave janë shërbimi i seancës plenare, shërbimi juridik, shërbimi i analizës dhe mbikëqyrjes së zbatimit të buxhetit të shtetit dhe shërbimi i komisioneve të Kuvendit”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit.

Përjashtimi

Emri i Lefterije Luzit u lakua si një ndër kandidatët favoritë për një mandat të dytë në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Deri në momentin e fundit, ajo ishte drejt rimandatimit, pasi kishte mbështetjen e PS dhe LSI, por Luzi u përjashtua nga Partia Demokratike si një nga dy kandidatët që duhet të eliminoheshin nga gara.

PD preferoi të lerë në garë dy kandidatët e propozuar nga Partia Socialiste, Denar Bibën, që më pas u zgjodh si kryetar i KQZ-së dhe kandidatin tjetër, Koli Belen, i cili u eliminua gjatë garës.

Kush është Lefterije Luzi

Lefterije Luzi ka lindur në qytetin e Librazhdit. Ajo ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1992. Në vitin 2005 ajo ka marrë licencën si avokate. Ndërsa në vitin 2009 Luzi ka kryer studimet pasuniversitare në Fakultetin e Ekonomisë, “Marketing i Avancuar”. Luzi, nga viti 2009-2012 ka mbajtur postin e anëtares së KLD-së dhe njëkohësisht të drejtoreshës së shërbimeve Juridike në Kuvend.