Transmetuar më 11-01-2017, 16:05

Nga Edi Rama

Shumë rëndom ne dëgjojmë se vota nuk ka rëndësi.

Shumë rëndom njerëzit bëjnë gabimin e madh të mendojnë, se: “pavarësisht nëse votoj, apo nuk votoj, në fund të ditës asgjë nuk ndryshon, se të gjithë janë njësoj”.

Këtu jemi sot në një truall që është dëshmi e krejt të kundërtës:

Është dëshmia e faktit se çfarë, në fakt, njerëzit vendosin me votën e tyre;

Nëse vota shkon në drejtim të gabuar, ose nëse shkon në drejtimin e duhur;

Nëse qëndrojnë në shtëpi dhe ua lënë tjerëve vendimmarrjen, duke u bërë përgjegjës për çdo rast kur vota shkon në drejtimin e gabuar.

Tirana mund ta kishte pasur këtë Bulevard sot.

Tirana mund ta kishte Sheshin “Skënderbej” sot.

Tirana mund të mos ishte sot, në vitin 2017, një kryeqytet që ende nuk ka arritur të mishërojë një vizion të 87 viteve më parë, kur dy arkitektë vizionarë të thirrur nga mbreti Zog projektuan këtë segment fantastik dhe unikal, që e bën Tiranën të veçantë dhe që i krijon kushte organizmit të saj që të zhvillohet në mënyrë të shëndetshme.

Por, ja që për shkak të votës, gjërat nuk shkuan ashtu siç do duhej të shkonin.

Për shkak të votës Tirana humbi vite, u përpëlit në një kurth të pakuptimtë dhe faktikisht u tërhoq zvarrë.

Po për shkak të votës, Tirana sot, jo vetëm është vënë në lëvizje, por është vënë në lëvizje me një shpejtësi të re, me një shpejtësi që nuk e ka pasur asnjëherë falë lidershipit të Kryetarit të Bashkisë, falë ekipit të bashkisë, falë mobilizimit të ndjeshëm, në çdo aspekt, të të gjithë njerëzve që punojnë me bashkinë, apo për bashkinë dhe që lidhet me këtë energji të jashtëzakonshme të re që i ka sjellë Tiranës pikërisht një votë në drejtimin e duhur.

Falë votës në drejtimin e duhur, Tirana do të ketë shumë shpejt Bulevardin e ri.

Tirana do të ketë shumë shpejt, më në fund, sheshin e vet.

Është absurde!

Është i vetmi kryeqytet pa shesh në Europë!

Për fat të keq, është edhe i vetmi qytet në Shqipëri, që tanimë po ndërton në fund sheshin e vet.

Këto janë fakte kuptimplota të një të vërtete shumë të thjeshtë.

Me votën, njerëzit vendosin shumë më tepër nga ajo që duket në pamje ta parë.

Me votën, njerëzit vendosin shumë më tepër nga ajo që ata kanë tendencën shpeshherë të mendojnë, jo vetëm në raport me të tërën, por edhe në raport me veten e tyre. Sepse, ky bulevard dhe këto vepra nuk iu shërbejnë thjesht atyre që i përdorin, por i shërbejnë një zhvillimi shumë më të madh, shumë më të shpejtë ekonomik dhe social.

Nga këto vepra përfiton sot Tirana dhe do të përfitojë më shumë nesër kur ato të jenë të realizuara.

Kompanitë sot në Tiranë, që nga kompania që punon këtu, deri tek kompanitë e pastrimit, tek kompanitë e tjera, qofshin bashkiake, qofshin private kanë një sjellje të re.

Janë bërë pjesë e një energjie të re dhe një projekti që nuk është i ri, por është më në fund projekt i përbashkët. Nuk është i ri, sepse është një ëndërr e kahershme dhe një dëshirë shumë e vjetër e qytetarëve të Tiranës, për të jetuar në qytetin më të jashtëzakonshëm të Shqipërisë.

Tirana është qyteti më i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, por nuk është ende qyteti i jashtëzakonshëm i Gjeneratës Tjetër.

Këtu jemi pikërisht në Bulevardin që lidh Tiranën e sotme, me Tiranën e Gjeneratës Tjetër. Ky është një privilegj shumë i madh dhe sigurisht është dhe një përkëdhelje, pse mos ta them, e sedrës time si ish-Kryetar i Bashkisë që bëra sa munda, jo aq sa desha, për ta çelur pikërisht rrugën që lidh të sotmen me të ardhmen; rrugën që lidh qytetin që kemi, me qytetin që duam; rrugën që lidh atë që kemi trashëguar nga të parët tanë, me atë që kemi detyrim t’ua lëmë fëmijëve tanë.

*Nga fjala e Kryeministrit në ceremoninë e inaugurimit të punimeve për Bulevardit të ri të Tiranës