Transmetuar më 10-01-2017, 22:04

Këtë radhë nuk kishte një aksion blic. Nuk pati as ndonjë ndjekje në det.

As edhe një sinjal paraprak për sasi droge që kalonte qetësisht ujërat e ftohta shqiptare në drejtim të atyre italiane.

E nuk pati as ndonjë arrati nga policia të autorëve të trafikimit të drogës. Ndaj policia italiane është në dilemë dhe nuk po kupton misterin e asaj që ndodhi realisht mëngjesin e ditës së sotme.

Ata nuk dijnë se ku u zhdukën skafistët e një gomoneje me 680 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë e cila zbarkoi brigjet italiane në San Foca, siç shikoni edhe fotot që ju sjell noa.al.

Misteri bëhet rrënqethës. Policia dyshon shumë se skafistët shqiptarë i ka rrëmbyer deti. Sepse ata gjetën të avitur buzë bregut vetëm gomonen e mbushur plot me drogë, por jo skafistët e saj.

Misteri shtohet edhe më shumë, kur policia gjatë hetimit të së martës ka evidentuar edhe se dikush, me shumë gjasa nga ana tokësore, ka bërë përpjekje për të nxjerrë një pjesë të drogës nga skafi dhe më tej e ka braktisur dhe është zhdukur.

Çfarë ka ndodhur?

Vallë skafistët shqiptarë i ka përpirë deti dhe dikush i lidhur në fijen e trafikut ka shkuar në destinacion dhe ka nisur të merret me transportin e drogës?

Policia italiane e cituar nga mediat italiane, thotë se po heton intensivisht për të zbardhur se çfarë qartësisht ndodhi mëngjesin e së martës.

Bëhet fjalë për një sasi droge që në tregun e zi vlen të paktën katër milionë euro. E gjitha tashmë, në duart e karabinierëve italianë. Bashkë me drogën u sekuestrua ddhe gomonia me 200 kuaj fuqi me motor Yamaha.

Policia italiane sakaq zbulon një fakt tjetër që është mbajtur i fshehur nga ministria e Brendshme. Vetëm për 10 ditët e para të janarit, ky është rasti i tretë i gomoneve plot me drogë që vijnë nga Shqipëria në Itali./ noa.al/