Transmetuar më 10-01-2017, 20:37

Pas Spitalit të Traumës në Tiranë, tani edhe spitali rajonal i Vlorës ofron për pacientët e tij proteza ortopedike falas. Kështu, pacientët e Vlorës që kanë nevojë për protezë tashmë mund të shmangin udhëtimet drejt Tiranës apo në Ohër por edhe duke kursyer deri në 4 mijë euro nga të ardhurat e tyre.

Shërbimi është përfituar deri më tani nga 15 pacientë në nevojë dhe sipas ministrit të Shëndetësisë falë një rialokimi prej 80 milionë lekësh për buxhetin e këtij spitali, u bë e mundur edhe ulja e fluksit të kërkesës së Tiranës për këto materiale mjekësore.

“Të paktën, 1200 vetë do të mund të marrin këtë shërbim, dhe kjo ka shumë të mira për pacientët, për mjekët, por edhe ne na lehtëson pak mbingarkesën në Tiranë. Se ne filluam të ofrojmë proteza në Tiranë në shtator, dhe direkt u rrit presioni ndaj këtyre, ma nis në Tiranë se atje është pa lekë pse ma mban këtu? Kështu që prandaj reaguam, që filluam që në fund të dhjetorit në fakt që të furnizonim edhe me protezat në mënyrë që të mund t’i shërbejmë njerëzve. Të paktën, unë besoj që 1200 vetë këtë vit do të mund ta marrin këtë lloj shërbimi i cili ofrohet për këdo që ka nevojë”, tha sot, z. Beqaj.

Ortopedi z.Genci Mersini thotë se ecuria e pacientëve që kanë vendosur protezë është e mirë dhe ky është një lehtësim për të gjitha palët. “Me ardhjen e këtij materiali këto operacione janë të përballueshme totalisht në spitalin e Vlorës dhe kjo është një ndihmë shumë e madhe që i jepet pacientëve dhe neve njëkohësisht për të realizuar shërbimin karshi pacientëve”, shprehet Mersini.