Transmetuar më 10-01-2017, 20:20

Salla kryesore e Galerisë Kombëtare të Arteve po bëhet gati për të pritur një nga ekspozitat më të plota të Artit Italian të 1900-ës.

Kryevepra të artit italian dhe botëror, 102 vepra nga më të çmueshmet do të strehohen në Tiranë nga data 15 Janar.

Me këtë ekspozitë shënjohet një startim në rrezen e veprave autentike të artit italian për të cilat është punuar gjatë jo vetëm për ti sjellë por edhe për të plotësuar paktin e besueshmërisë për një galeri si Galeria Kombëtare e Arteve.

Drejtori i Galerisë Kombëtare, Artan Shabani flet për disa prej emrave dhe kryeveprave që kjo ekspozitë e rrallë rezervon. De Chirico, Donghi, e deri tek Mario Mafai apo Renato Guttuso janë vetëm disa prej mjeshtrave, veprat e të cilëve do të ekspozohen për publikun shqiptar.

Një ekspozitë që përveç shijimit të artit ka si synim edhe edukimin e publikut.

Me një shtrirje kohore gati 100 vjeçare koleksioni i rrallë dhe shumë i çmueshëm është një zhytje jo vetëm në artin italian, por edhe në rrymat e artit nga natyralizmi dhe simbolizmi tek futurizmi dhe dialogu i traditës italiane me antikitetin.

Ekspozita, nën kujdesin e Arianna Angelelli; Maria Catalano dhe Federica Pirani vjen në Tiranë me më shumë se njëqind vepra të mrekullueshme, me prejardhje nga Galeria e Arteve Moderne në Romë.

Ajo ka për qëllim të prezantojë kulturën artistike në Romë dhe në Itali në gjysmën e parë të shekullit të XX, gjuhët që e kanë përcjellë, artistët dhe lëvizjet e referimit duke kaluar nga Simbolizmi, Secesioni, Futurizmi, Klasicizmi i Ri, Shkolla Romane, Abstraktizmi.

Figurat e mrekullueshme femërore, portretet e personazheve të famshëm, pamjet e Qytetit të përjetshëm dhe të fshatit roman, natyrat e vdekura, janë subjektet kryesore të trajtuara nga artistët protagonistë të ekspozitës, ndër të cilët dalin në pah emrat: Giacomo Balla, Carlo Carrà, Giorgio de Chirico, Fortunato Depero, Renato Guttuso, Giacomo Manzù, Tato, Giulio Turcato, vetëm për të përmendur disa nga më shumë se 60 artistët e paraqitur.

Ekspozita do të jetë e hapur çdo ditë nga ora 10 deri në orën 19, nga 15 janari deri më 2 prill 2017. Biletat do të ushtojë 700 lekë për person kurse me zbritje dhe për grupet, 500 lekë. Kurse për shkollat, 100 lekë.