Transmetuar më 10-01-2017, 19:54

Ikona e kinematografisë shqiptare Robert Ndrenika sot mbush 75, ndërsa urimet për të nga të njohur e të panjohur kanë qenë “lumë” në rrjetet sociale.

I adhurueshëm në të gjitha rolet nuk kishte sit ë ndodhte ndryshe.

Në këtë ditë, miku i tij, regjisori Pëllumb Kulla, ka bërë një urim të gjatë me fjalë zemre për të.

Ai e ka cilësuar Robertin një nga ata artistë që i vijnë shumë rrallë skenës dhe ekranit shqiptar.

Urimi i Pëllumb Kullës:

“ROBERT NDRENIKA SHËNON SOT 75! Edhe ju më të rinjtë do të vinit te 75-at! Berti i dashur, ta uroj këtë ditë të shënuar. Ti, i shtrenjti Bert, meriton që sot, veç e veç, tok e tok, shtëpi më shtëpi, studjo më studjo, auditor më auditor, njerëzit të trokasin gotat me mendjen tek vitet e tua gjurmëlënës në skenat dhe ekranet e shqiptarëve. Me ty, o shoku im i klasës dhe i shkollës, o miku im i vjetër, kemi kaluar bashkë një pjesë të mirë të këtyre viteve. Kemi biseduar dhe kemi qarë halle, jemi tallur e kemi ngacmuar njëri tjetrin, por kurrë unë nuk jam ndalur e nuk të kam thënë atë që do të të them pikërisht sot. Atë që, ti i dashuri im, je një artist i madh, nga ata të ndriturit, nga ata që skenës dhe ekranit i vijnë rrallë, shumë rrallë. Ti je nga ajo racë aktorësh që të zbukurojnë jetën dhe që i japin pavdekshmëri teatrit. asaj loje magjepsëse ku njerëzit qeshin e qajnë për ca realitete të sajuara bukur. Ti, Bert, je nga ata aktorë të paktë që janë mjeshtra dhe në ndërtimin e figurave komike, dhe po aq mbresëlënës me karakteret dramatikë. Ti ke bërë aq shumë sa njerëzve kur u flitet për teatrin, mëndja u shkon vetëm tek artistë si ti. Paç jetë të gjatë mes familjarëve të tu, mes miqve të tu dhe u shtoftë edhe më tej magjia e artit tënd!”/noa.al/