Transmetuar më 10-01-2017, 12:42

Prishtinë, 10 janar 2017, NOA.al- Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot në seancë të jashtëzakonshme lidhur me arrestimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në fjalën e tij Kryeministri Isa Mustafa, deklaroi se institucionet e vendit janë duke punuar maksimalisht që Haradinaj, të kthehet sa më shpejtë në Kosovë.

Ai tha se Qeveria i konsideron të paligjshme dhe të padrejta fletë- arrestet e lëshuara nga ana e Serbisë.

“Arrestimi i Ramush Haradinajt është bërë në bazë të një fletë- arresti të motivuar mbi baza politike nga ana e Serbisë. Qeveria i konsideron të paligjshme dhe të padrejta këto fletë- arreste. Do të kontribuojmë në çdo formë për lirimin e Ramush Haradinajt, që ai të rikthehet në Kosovë dhe të vazhdojë punën e tij”, u shpreh Mustafa.

Kryeministri shtoi se nuk shihet e arsyeshme që Ramush Haradinaj të mbahet i arrestuar në Francë në mënyrë të paligjshme.

“Prej dy vitesh kemi bërë përpjekje maksimale që Kosova të anëtarësohet në Interpol dhe jemi duke punuar maksimalisht që të arrihet anëtarësimi. Me anëtarësimin tonë në Interpol kontribuojmë që këto fletë-arreste të largohen sa më shpejt”, deklaroi ai, duke shprehur bindjen se institucionet e Francës do të marrin shpejt vendim që Haradinaj të kthehet në Kosovë.

Nga ana e tij ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, deklaroi se është në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë franceze për të mundësuar që Haradinaj të lirohet sa më shpejt.

“Serbia ka rikthyer logjikën e politikës së Millosheviçit. Burim i ndalimit të Haradinajt është Serbia. Me këto veprime po rrezikon dialogun me Kosovën”, tha ministri i Jashtëm.

Ramush Haradinaj kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, për shkak të një aktakuze që daton nga viti 2004./a.y/noa.al