Transmetuar më 09-01-2017, 21:39

Nëpërmjet një komunikate drejtuar mediave, Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, dënon ashpër deklaratat që ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka bërë në lidhje me “gjoja sulme të diasporës shqiptare në botë ndaj misioneve diplomatike të Serbisë”.

Nëpërmjet komunikatës, Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë, i konsideron këto deklarata nxitëse, tendencioze dhe që kanë për qëllim ta mbajnë rajonin në tension.

Ajo vlerëson se kjo është gjuhë e viteve 90-a dhe e frikës kur Serbia i orekstronte vetë sulmet që ua atribuonte të tjerëve.

Deklarata e plotë e MPJ në Kosovë:

“Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Dacic janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Në këto rrethana, akte të tilla të dhunës mund të orkestrohen nga vetë shteti serb, në mënyrë që t’i atribuohen pastaj diasporës shqiptare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.”