Transmetuar më 09-01-2017, 16:40
Publicitet

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, përmes një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock, kërkon rishqyrtimin dhe rivlerësimin e Urdhër Arrestit ndërkombëtar për zotin Ramush Haradinaj.

“Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të institucionit që unë drejtoj, të shpreh konsideratën më të lartë për punën tuaj si dhe t’Ju falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer më Policinë e Shtetit shqiptar gjatë vitit të kaluar. Nga ana tjetër, kam ndjekur me shqetësim të madh arrestimin e ish-Kryeministrit të Kosovës, njëherazi dhe një nga udhëheqësit e luftës së Kosovës kundër genocidit serb, z. Ramush Haradinaj, në Paris në datë 4 janar 2017, në zbatim të një Urdhër Arresti të INTERPOL-it”, shkruan Tahiri.

Më tej ministri Tahiri thekson në letër, se zbatimi i këtij Urdhër Arresti, cënon parimet themelore të drejtësisë penale, si edhe të drejtat e njeriut.

“Haradinaj, subjekt i këtij Urdhër Arresti është hetuar, gjykuar dhe gjetur i pafajshëm nga Gjykata për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, një autoritet gjyqësor ndërkombëtar i posaçëm që ka marrë një vendim për pafajësinë e tij, pas një procesi të gjatë e të drejtë, në përputhje me të gjitha normat ndërkombëtare të drejtësisë penale. Gjykimi dy herë për të njëjtën vepër penale është në kundërshtim të hapur me këto parime dhe në shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe, në këtë rast, një precedent që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, vë në dukje Tahiri.

Ministri nënvizon se Urdhër Arresti ka gjithashtu probleme formale dhe proceduriale, duke renditur 3 prej tyre.

“Në këtë Urdhër Arrest, z. Haradinaj konsiderohet ende shtetas i Republikës Federative të Serbisë dhe Malit të Zi, entitet shtetëror i cili ka pushuar së ekzistuari që në vitin 2006; më lejoni gjithashtu t’Ju rikujtoj se personi subjekt i Urdhër Arrestit ndërkombëtar në datë 6 qershor 2005 është ndaluar më parë nga autoritetet sllovene bazuar në të njëjtin Urdhër Arresti dhe është liruar menjëherë pasi autoritetet e kanë konsideruar atë si të pazbatueshëm; është e nevojshme gjithashtu të rivlerësohet nëse Urdhër Arresti ndërkombëtar plotëson kriteret e përcaktuara nga neni 3 i Kushtetutës së Interpol nga Konventa Evropiane për Ekstradimin”, pohon ministri i Brendshëm shqiptar në letër.

Loading...