Transmetuar më 09-01-2017, 15:03

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pritet të dalë sërish të enjten, para trupit gjykues në gjykatë e Kolmarit në Francë.

Avokati i tij në Kosovë, Arianit Koçi tha se ish-komandanti i zonës së Dukagjinit, do të lirohet me kusht, deri në përfundimin e procedurës dhe dhënies së vendimit përfundimtar. Gjykata e Apelit në Francë, vendosi javën e shkuar për qëndrimin e Haradinajt në paraburgim dhe njëkohësisht i dha Serbisë afat kohor që të depozitojë prova ndaj kreut të AAK-së.

Haradinaj u arrestua disa ditë më parë nga policia franceze në aeroportin e Bazelit, i vendosur mes dy shteteve, Zvicër dhe Francë.

Arrestimi i tij u bë në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar në vitin 2004. nga Serbia që kërkon ekstradimin e Haradinajt në Beograd për ta gjykuar për krime lufte. Zoti Haradinaj është ballafaquar edhe dy herë të tjera me drejtësinë e Hagës, nga ku ka dalë i pafajshëm.

Kreu i prokurorisë serbe tha se është i kënaqur me faktin që fletë arrestet e lëshuara nga Serbia po zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian. Por, ai u shpreh skeptik se kërkesa e Beogradit për ekstradimin e Haradinajt në Serbi, do të zbatohet sipas procedurave të shpejta.

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se prokuroria ka prova inkriminuese ndaj Haradinajt dhe se nuk do të donte që “Franca si shtet serioz dhe me sundim të ligjit të mos veprojë në përputhje me ligjin por me qasje politike”.

Ai pohoi se Serbia do të kërkojë zyrtarisht ekstradimin e Haradinajt në Beograd.

Prokuroria për Krimet e Luftës në Serbi njoftoi se ka mbledhur prova shtesë në funksion të plotësimit të akuzave ndaj udhëheqësit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u ndalua të mërkurën në aeroportin e Baselit nga policia franceze.