Transmetuar më 08-01-2017, 17:51

Në foto: Bujar Osmani

BDI nuk përjashton mundësinë e mbetjes në opozitë përteri sa nuk gjendet gjuhë e përbashkët me bllokun maqedonas për zbatimin e kërkesave të partisë dhe atyre që dalin nga platforma e përbashkët e partive shqiptare. Këtë e deklaroi për Alsat, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani i cili tha se mbeten të hapura edhe opsione të tjera si ai i formimit të Qeverisë së zgjedhuar kurse përjashtoi mundësinë e një Qeverie ekspertësh.

”Hapur po i analizojmë të gjitha opsionet nga ajo e Qeverisë së zgjeruar pa prejudikuar njërin apo tjetrin bllok dhe natyrisht pa përjashtuar mundësinë për të qenë një opozitë konstruktive. Korniza brendashqiptare dhe platforma e BDI-së mbeten bazë për negocim me partitë politike maqedonase, thash se nuk përjashtojmë mundësinë edhe për të qenë në opozitë. Ajo që mund të përjashtojmë prej këtij moment është një Qeveri ekspertësh sepse mendojmë se Maqedonia kërkon një mandat politik për të udhëhequr më tutje” – deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Nesër është afati i fundit kur presidenti Gjorge Ivanov duhet të japë mandatin për fillimin e negociatave për formimin e Qeverisë së re. Nga presidenca thonë se Ivanov në ndarjen e mandatit, do të veprojë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe afatit të paraparë me Kushtetutë.”

”Presidenti Ivanov në ndarjen e mandatit për formimin e Qeverisë së re, do të veprojë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe afatin e paraparë me Kushtetutë”– bëjnë më dije nga presidenca. 

Kushtetuta parasheh që mandatin për formimin e Qeverisë, e para ta marrë partia me numrin më të madh të deputetëve, që në këtë rast është OBRM-PDUKM e cila më pas duhet të fillojë negociatat për formimin e shumicës së nevojshme. Në rast të dështimit, mandati i kalon partisë së dytë për nga numri i deputetëve. Nga OBRM-PDUKM nuk morëm asnjë përgjigje, kurse nga LSDM-ja deklaruan se aktualisht nuk ka asgjë konkrete dhe nuk kanë negociata të hapura me partitë tjera.