Transmetuar më 08-01-2017, 17:48

Nga Edmond Tupja

Po, e përfytyrova apo e pashë në ëndërr, pak rëndësi ka, sepse përfytyrimi apo ëndrra ime përkoi katërcipërisht me realitetin lakuriq në Republikën tmerrësisht demokratike të Shqipërisë. Po, Viti i Ri, ai 2017, në trajtën e një fëmije të veshur si shoqëruesi i tij, Viti i Vjetër, pra, ai 2016 erdhi para një jave, veçse, kësaj radhe, për habinë më të madhe të shumë prej bashkatdhetarëve të mi, jo me flokë të zinj apo të verdhë, por me… me thinja, ndërsa shoqëruesit të tij, për habinë më të madhe të të njëjtëve bashkatdhetarë, i kishin rënë thuajse fare flokët e bardhë.

E frikshme: për herë të parë në historinë tonë kombëtare të këmbimit të viteve që nga rënia e diktaturës hoxhiste, një vit i vjetër tullac solli një vit të ri të thinjur. E solli, pra, kjo është e padiskutueshme, por në ç’gjendje e solli? Tashmë të plakur, fatkeqësisht, ndonëse të porsaardhur kronologjikisht, d.m.th. zyrtarisht në të gjithë kalendarët e qeverisë shqiptare. Me flokët gri dhe, madje, me një çehre po aq gri, të vrarë, gati të zymtë, m’u duk mua gjithsesi, si edhe jo pak të afërmve, shokëve e miqve të mi.

Përse kështu? Për shumë arsye, por kryesisht socialekonomike, të cilat lexuesi im i vëmendshëm dhe i paanshëm i vëren sot rreth e rrotull vetes dhe familjes së tij. Papunësi, pasiguri për të tashmen, ankth nga frika e një të ardhmeje gati jetime, me ëndrra të parealizuara, thënë ndryshe, të paralizuara. Të rinj e të reja që mendjen e kanë të mërgojnë sa më shpejt ku të munden e si të munden në vendet e zhvilluara.

Rrjedhimisht, pesimizëm, humbje besimi te ndryshimi dhe te vetvetja, vrasje ose vetëvrasje e shpresës. Viti i Ri, i njohur për bujarinë e tij, sidomos me fëmijët, me shumë gjasë duhet të ketë sjellë më pak dhurata (qofsha kryekëput i gabuar!), sepse, të mbytur në borxhe për të mbijetuar, d.m.th. për t’u ushqyer, për t’u veshur e për t’u ngrohur, shumë prindër u kanë blerë atyre dhurata më të lira, por nuk është vetëm për këtë arsye që Viti i Ri me thinja po merakoset e vreroset.

Atë e vret ndërgjegjja që, më shumë se shoqëruesi i tij para dymbëdhjetë muajsh, u shtrëngua t’i sillte një numri shqiptarësh përherë në rritje disa dhurata të neveritshme. “Ah, zoti Tupja,– mund të hidhen e të më thonë njëzëri e me habi, ndoshta edhe me njëfarë acarimi, disa nga lexuesit e mi më seriozë–, si mund të ketë dhurata të neveritshme? Një dhuratë, si përkufizim, nuk mund të jetë veçse e mirëpritur, apo jo?”.

Parimisht, kjo pyetje duket fort e drejtë, por në realitetin shqiptar të këtij fundviti, logjika e shëndoshë ka pësuar një goditje tejet çorientuese e tronditëse: dhuratat që Vitit të Ri me thinja iu desh të shpërndante para një jave brenda kufijve shtetërorë të vendit, mbajnë emrin korrupsion, kriminalitet, krizë existenciale, morale e institucionale.

Pasoja më e llahtarshme e kësaj dukurie është se këto dhurata të neveritshme po kthehen detyrimisht në faktorë të përhershëm me një impakt shoqëror e psikologjik të pashmangshëm te brezat e rinj, të cilët po brumosen kështu me një pragmatizëm tejet cinik duke konsideruar se, në fund të fundit, përfitimet nga zbatimi i një ideje, qoftë kjo edhe e pamoralshme, përbëjnë një kriter që përcakton shkallën e pranueshmërisë të një së vërtete të “dobishme”, gjë që na çon te Makiaveli, sipas të cilit qëllimi përligj mjetin e përdorur për t’ia arritur atij.

Ja, pra, arsyeja përse Viti i Vjetër, i cili u largua më 31 dhjetor në mesnatë, flokërënë e shpirtvrarë, na solli e përcolli një Vit të Ri tashmë me thinja e të plakur shpirtërisht si vetë ne, qytetarët e Republikës tmerrësisht demokratike të Shqipërisë. Me siguri që, po të vazhdojmë kështu, pas dymbëdhjetë muajsh, ky vit që sapo erdhi, kur të jetë plakur edhe ai, do të na sjellë një tjetër Vit të Ri–kufomë me thinja–tashmë të arkivuar artistikisht në arkivol.

* Opinion i shkruar për “Panorama”