Transmetuar më 07-01-2017, 19:54

Sado e vështirë, e vërteta vret më pak se përpjekjet për të mbuluar këtë realitet tronditës me papërgjegjshmërinë e një kryeministri që nëse ka zgjidhur ku të sistemojë fëmijët e tij këto ditë karantine, të mendojë dhe për prindërit e 1 milion shuplakave dhe shtetin e karantinës të një vendi me diell si Shqipëria

Nga Desada Metaj

Edi Rama ka marrë vendim të shtyjë sërish hapjen e shkollave, çerdheve dhe kopshteve në të gjithë Shqipërinë deri në datën 16 janar. Vendimi në dukje është i detyruar, siç sqaron ministri i tij Beqja, për shkak të gripit. Një epidemi e parashikuar që në vjeshtë dhe që si çdo vit kulmon në muajt dhjetor-janar.

Gjithçka nisi në 3 janar, kur u njoftua, së pari, se në Shqipëri kishte grip dhe për këtë shteti kalonte në karantinë. Për të justifikuar këtë vendim krejt absurd për një shtet serioz, ministri  i shëndetësisë sforcoi veten dhe mediat pranë qeverisë për të stisur një epidemi që ekzistonte prej javësh. Por, qeveritarët e Ramës, ndoshta nuk e kuptojnë se shqiptarët e dinë mirë se virusi i gripit ka kohë në qarkullim dhe nuk është vdekjeprurës.

Rastet që u njoftuan me nxitim me pasojë vdekjen i përkasin grupmoshës së tretë dhe si të tilla sjellin komplikacione që ndodhin në çdo vend të botës. Aq evident ishte përpjekja për ta shitur shtyrjen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve në datën 4 janar si një “merak të qeverisë për qytetarët”, sa një televizion për pak sa nuk publikoi dhe emrat e të prekurve nga virusi.

Po kaq qesharak ishte  dhe vendimi për të lënë pushim një nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, gjë që shkaktoi kolaps jo vetëm në administratë, por dhe në sektorin privat, ku sigurisht prindërit me fëmijë të mitur mbetën në mëshirën e dëshirës së punëdhënësve për t’u kujdesur për fëmijët e tyre.

Dhe, sërish në mënyrë flagrante, qeveria sot ka vendosur të shtyjë nisjen e shkollës për në datën 16 janar. Pra thuajse një muaj pasi femijët kanë nisur pushimet e festave të fundvitit.

Por, a e kupton kryeministri dhe ministri i tij i shëndetësisë që sado të përpiqen nuk e beson kush se virusi i përvitshëm i gripit na qenka kaq i rrezikshëm pikërisht tani? Pikërisht në momentin kur temperaturat janë më të ulta se zakonisht dhe ngrohja në shkollat, kopshtet dhe çerdhet publike është e pamjaftueshme në mos joekzistuese.

Por edhe nëse e marrim të mirëqenë këtë rrezik, çdo prind ka të drejtën e marrjes së raportit mjekësor nëse fëmija është sëmurë. Dhe nëse nuk shkojnë në shkolla, këta fëmijë do të rrinë në shtëpitë shpeshherë pa drita apo do kalojnë kohën e lirë në qendrat tregtare, burim i përhapjes së viruseve?

Plus, nëse shkollat janë shtyrë dhe një javë tjetër prapë administrata do të funksionojë pa kapacitetet e plota? Por nëse mjekët, punonjësit e emergjencave civile, ata që kujdesen për njerëzit në nevojë kanë fëmijë në shtëpi, si i bëhet hallit?

A di kryeministri të na thotë nëse do të punojë sistemi bankar të hënën? Po pediatrja e ambulancës që është mama fëmijësh a do të shkojë të hënën të kujdeset për pacientët e saj? Po ajo kujdestarja e azilit? Po dhjetëra prindër që janë të punësuar në sektorin privat?

Fshehja pas gishtit për këtë vendim të tepruar është nisja më e shëmtuar e vitit që mund të bëjë një qeveri. Dhe nëse shkak është mungesa e ngrohjes apo greva e paralajmëruar e arsimtarëve, për shkak të shpërblimit të munguar për festa, të paktën të na e thonë hapur.

Ata që kanë fëmijët në shkolla ku ka ngrohje apo në sistemin privat, lërini t’i çojnë në shkollë më mirë se të rrinë gjithë kohën para TV.

Sepse, sado ftohtë në veri, të paktën fëmijët e Tiranës apo të Vlorës e Sarandës le të shkojnë të bëjnë mësim.

Sepse, sado e vështirë e vërteta vret më pak se përpjekjet për të mbuluar këtë realitet tronditës me papërgjegjshmërinë e një kryeministri që nëse ka zgjidhur ku të sistemojë fëmijët e tij këto ditë karantine, të mendojë dhe për prindërit e 1 milion shuplakave dhe shtetin e karantinës të një vendi me diell si Shqipëria.