Transmetuar më 07-01-2017, 18:29

Lëvizja Socialiste për Integrim, duke ndjekur zhvillimet politike në Maqedoni tha sot se përshëndet faktorin politik shqiptar në vendin fqinjë, për qëndrimin e unifikuar dhe bashkimin në një platformë të qartë e vizionare për rolin e tyre dhe përgjegjësinë që duhet të përmbushin, në funksion të mbrojtjes së të drejtave legjitime të shqiptarëve në Maqedoni.

Nëpërmjet një deklarate nga Luan Rama, N/Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ai tha se LSI mbështet qasjen e tyre të përgjegjshme dhe angazhimin për bashkëpunim dhe kohezion të faktorit politik shqiptar.

“LSI inkurajon rritjen e rolit dhe të kontributit të forcave politike shqiptare që të vazhdojnë të punojnë pa u lodhur dhe me përkushtim atdhetar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, për rritjen e rolit të tyre si faktorë stabiliteti, prosperiteti dhe progresi të gjithanshëm të Maqedonisë fqinje, në të mirë të konsolidimit të demokracisë dhe të integrimit Europian të saj”, u shpreh Luan Rama.

Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh bindjen e plotë se të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqiptarë do t’i përmbahen marrëveshjes së arritur dhe do të kontribuojnë në përmbushjen e saj, duke e konsideruar zbatimin e marrëveshjes së arritur përgjegjësi kombëtare.

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni, përmes një deklarate të përbashkët, gjatë ditës së sotme, kanë shprehur përkushtimin e tyre për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

Partitë Shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, koalicioni “Rilindje me Besë”, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare, siç thuhet në deklaratë, angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues, me gjuhë zyrtare, e cila do të kishte statusin e barabartë me gjuhën maqedonase dhe zgjidhjen e shumë çështjeve tjera etnike./noa.al/