Transmetuar më 07-01-2017, 18:18

Partia Demokratike përshëndet deklaratën e përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni.

Lideri demokrat, Lulzim Basha, e cilëson një lajm të mirë dhe inkurajues për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë vend.

“Bashkimi dhe bashkërendimi  mbi bazën e parimeve dhe qendrimeve demokratike dhe integruese, duhet të përbëjë një orientim strategjik në qasjen faktorit politik shqiptar kudo ndodhet”, shkruan PD në deklaratën e saj.

Ne deklaratën e saj, Partia Demokratike shpreh mbështetjen e plotë për këtë akt përbashkues dhe garanton se si sot në opozitë edhe nesër në qeverisjen e vendit, do ta shndërrojë  përbashkimin dhe bashkërendimin e faktorit shqiptar në aksin kryesor strategjik të komunikimit dhe punës për realizimin e interesave integruese të shqiptarëve në Ballkan.​

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni, përmes një deklarate të përbashkët, gjatë ditës së sotme, kanë shprehur përkushtimin e tyre për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

Partitë Shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, koalicioni “Rilindje me Besë”, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare, siç thuhet në deklaratë, angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues, me gjuhë zyrtare, e cila do të kishte statusin e barabartë me gjuhën maqedonase dhe zgjidhjen e shumë çështjeve tjera etnike. /noa.al/