Transmetuar më 07-01-2017, 16:39

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni, përmes një deklarate të përbashkët, gjatë ditës së sotme, kanë shprehur përkushtimin e tyre për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

Partitë Shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, koalicioni “Rilindje me Besë”, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare, siç thuhet në deklaratë, angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues, me gjuhë zyrtare, e cila do të kishte statusin e barabartë me gjuhën maqedonase dhe zgjidhjen e shumë çështjeve tjera etnike.

Këtë hap e ka përshëndetur edhe kryeministri Edi Rama, ku nëpërmjet një postimi në Facebook, shkruan se të drejtat e shqiptarëve nuk negociohen për karrige qeverie.

“Hap historik shprehja e vullnetit të përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni: Të drejtat e shqiptarëve s’negociohen për karrige qeverie”, shkruan Rama në postimin e tij publik./noa.al/