Transmetuar më 07-01-2017, 15:42

“Të lirohet Ramush Haradinaj”, ishte mesazhi i protestuesve të djeshëm përpara Ambasadës së Francës  në Shkup, me rastin e arrestimit të ish komandantit të UÇK-së dhe ish kryeministrit dhe liderit aktual të AAK-së, Ramush  Haradinaj,.

Edhe përkundër temperaturave mjaft të ulëta, qytetarët u organizuan nëpërmjet rrjeteve sociale, me qëllimin që siç thonë ata, t’i tregojnë se Evropës dhe Botës se shqiptarët nuk kanë bërë krime dhe se Ramush Haradinaj është i pafajshëm.

“Ne kemi dalë të tregojmë se Serbia e Millosheviqit jeton, ajo nuk është e vdekur, por e gjallë. Daçiqi e kërcënoi Maqedoninë, Vuçiqi Kosovën, ndërkaq kryetari i Serbisë e kërcënon Evropën me luftë. Këto janë pasojat e politikës serbe që po i toleron Evropa. Shqiptarët nuk janë ata që kanë bërë krime, por Serbia ka bërë dhe nuk ka kërkuar falje asnjëherë”, tha një protestues.

Nermine Hamidi, nga Unioni Studentor, mbajti fjalim ku mes tjerash theksoi se  Franca ka bërë shkelje të lirive njerëzore dhe ka fyer vlerat kombëtare shqiptare, me rastin e arrestimit të Haradinajt.

“Ne gjykojmë se akti i burgimit të Haradinajt është shkelje e lirive themelore njerëzore, por dhe fyerje ndaj vlerave kombëtare shqiptare. Më e keqja është se kjo vjen nga një shtet evropian, i cili në vazhdimësi është promotori kryesor i po këtyre lirive. Përmes kësaj proteste apelojmë deri te autoritet e larta shtetërore të Francës që ta lirojnë Ramush Haradinajn dhe njëkohësisht të shqyrtojnë të gjitha rastet e ngjashme që vijnë nga Serbia, shtet ky që me dekada ka ushtruar dhunë dhe terror ndaj shqiptarëve të Kosovës”, tha Hamidi, citon Portalb në Shkup.

Përndryshe, Haradinaj, do të mbetet në paraburgim në Francë, deri në një kërkesë zyrtare të Serbisë për ekstradim të tij, ka njoftuar Gjykata e Apelit në Francë.

Menjëherë pasi të mbërrijë kërkesa për ekstradim nga Serbia, Gjykata e Apelit të Colmarit do të vendosë mbi ligjshmërinë e kërkesës nga Beogradi, siç thekson prokurori.

Haradinaj, është ndalur të mërkurën (4 janar) në Francë, për shkak të një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 me të cilin ai konsiderohet si kriminel lufte me rolin e tij si udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E një kërkesë për ekstradim është premtuar nga Serbia, respektivisht nga vetë kryeministri Aleksandër Vuçiq.

Në anën tjetër, AAK-ja përmes një komunikate për shtyp ka thënë se vendimi për ta mbajtur Haradinajn në paraburgim, në bazë të një fletë-arresti të Serbisë, për krimet e pretenduara për të cilat ai dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, flet për një vendim politik e jo gjyqësor.

Zyrtarët më të lartë të institucioneve të Kosovës, Shqipërisë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, e kanë quajtur provokim fletë-arrestin serb në bazë të së cilit është arrestuar Haradinaj. Sipas tyre, ky është një tentim për destabilizim të Ballkanit. Protesta edhe në Shkup për lirimin e Haradinajt by tvshenjaofficial