Transmetuar më 06-01-2017, 15:00

Qarkullimi i masave ajrore me origjinë polare do të bëjë që vendi ynë të dominohet kryesisht nga kthjellime por temperaturat do të jenë shumë të ulëta. Herë pas here do të ketë edhe stuhi të forta ere.

Parashikohet që edhe pasditja të viojë me mot të kthjellët por shumë të ftohtë në të gjithë territorin e vendit, zonat më problematike nga i ftohti do të paraqiten verilindja dhe juglindja. Në ndikimin e temperaturave negative në të gjithë territorin do të mbetemi edhe gjatë natës.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme si në orët e mëngjesit edhe në orët e mesditës duke bërë që dita e shtunë të jetë dita më e ftohtë e dimrit deri tani. Era do të fryjë e fortë duke arritur në momente të veçanta shpejtësinë 60 km/h nga drejtimi verilindor, për pasojë edhe deti do të jete i trazuar duke gjeneruar dallgëzim 6 ballë.

Europa

Rrymat e ftohta me origjinë verilindore do të përfshijnë gadishullin e Ballkanit duke u futur deri në brigjet e Italisë, për pasojë në këto rajone do të dominojë moti i kthjellët por i ftohtë ku në zona të veçanta temperatura do të ulet deri në -19 apo -20 gradë C, kryesisht në Ballkan.

Po ashtu, me kthjellime dhe vranësira të shpeshta paraqitet moti për gadishullin Iberik, ishujt britanike si edhe Europën qendrore. Ndërsa reshje të dendura dëbore do të bien në Europën juglindore si edhe Europën Lindore.