Transmetuar më 05-01-2017, 15:37

Alternime kthjellimesh dhe vranësirash do të karakterizojnë kushtet e motit në vendin tonë ku më të dukshme vranësirat do të paraqiten në zonat veriore duke gjeneruar reshje dëbore. Parashikohet që gjatë ditës së premte 70 % e territorit të ketë reshje dëbore e cila do të zbresë deri në zonën e ulët por në sasi të pakta.

Pjesa e dytë e ditës do të sjellë dobësim të ndjeshme të reshjeve duke bërë që dominuese të jenë vranësirat dhe intervalet e shkurtra me kthjellime. Gjatë natës do të ketë ndërprerje totale të reshjeve në të gjithë vendin.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme në të dy vlerat ekstremale të ditës, si pasojë e qarkullimit të masave ajrore nga Siberia. Era do të fryjë mesatare dhe e fortë me shpejtësi 48 km/h nga drejtimi verior dhe verilindor duke bërë që në Adriatik dhe Jon të gjenerohet dallgëzim 3 apo 4 ballë.

Europa

Përsa i përket Europës, moti i kthjellët dhe i ftohtë do të jetë dominant për pellgun e Mesdheut, Gadishullin Iberik si edhe Europën Qendrore. Po ashtu edhe Ballkani do të jetë në ndikimin e kthjellimeve por temperaturat do të ulen ndjeshëm.

Reshje të konsiderueshme dëbore do të bien në, gadishullin Skandinav si edhe Europën Lindore. Ndërsa me vranësira dhe shira intensive do të paraqiten ishujt britanike.