Transmetuar më 05-01-2017, 13:35

Dalin pamjet e para nga momenti i arrestimit të Ramush Haradinajt ditën e djeshme nga policia franceze në aeroportin e Bazelit. Haradinaj, u arrestua pas një flet arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, ndërsa aktualisht po mbahet në një stacion policor në Francë.

Përmes Facebook-ut, avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koçi sqaron se kreu i AAK-së do të paraqitet gjatë ditës së enjte në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, të Gjykatës së Apelit në Kolmar.

Dhoma hetimore e kësaj gjykate do të shqyrtojë kërkesën e Serbisë për ekstradim. Koçi shkruan se Franca është një prej vendeve që e ka mbështetur më fort Kosovën në rrugën drejt lirisë dhe i njeh shumë mirë rrethanat gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Për këtë arsye, avokati shpreh bindjen se pretendimet e Beogradit do të rrëzohen dhe Haradinaj do të lihet i lirë brenda ditës. 

Në Serbi, ndërkohë, shpresat janë që Franca të veprojë sipas praktikës ndërkombëtare. Haradinaj, thotë Kryetari i Këshillit Serb për Kosovën, Millovan Dreçun, u ndalua në bazë të një urdhër-arresti serb dhe sipas rregullave në fuqi ai duhet t’i dorëzohet Serbisë. 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u ndalua të mërkurën nga policia në pjesën franceze të aeroportit Basel-Mulhouse, i hapur në vitin 1946 për të shërbyer në rajonin kufitar ndërmjet Francës, Zvicrës dhe Gjermanisë.