Transmetuar më 05-01-2017, 12:13

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten se Serbia do të kërkojë ekstradimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, i ndaluar nga autoritetet franceze në Bazel.

Vuçiç u tha gazetarëve në Qeverinë e Serbisë se prokuroria ka një numër të lëndëve kundër Haradinajt dhe askush nuk ka të drejtë që të rrënojë vendimet e organeve të drejtësisë, Prokurorisë së Serbisë.

 “Prokuroria ka një numër të provave dhe gjërave inkriminuese dhe nuk do të donte që Franca si shtet serioz dhe me sundim të ligjit të mos veprojë në përputhje me ligjin por me qasje politike. Ne kemi një njeri me aq shumë vepra që nuk mund t’i numëroni të gjitha. Askush nuk ka të drejtë të dëmtojë vendimin e zyrës së prokurorit të pavarur”, është shprehur Vuçiç, raporton media serbe “B92”.

I pyetur nga gazetarët serbë nëse Serbia do të kërkojë zyrtarisht ekstradimin e Ramush Haradinajt, kryeministri serb u përgjigj: “Por çka tjetër do të bëjë? Për mua do të ishte e palogjikshme që Franca si një shtet ligjor të mos vepronte në përputhje me të drejtën”, tha kryeministri i Serbisë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ndalua të mërkurën nga policia franceze në bazë të një fletë-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga policia e Serbisë.