Transmetuar më 04-01-2017, 20:41

Kryetari për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është ndaluar gjatë ditës së sotme në Francë nga policia vendase.

Ai u ndalua në bazë të urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Haradinaj ndodhet në ndalim në një burg në Francë, ndërkohë që autoritetet franceze kanë njoftuar ato kosovare për arrestimin e tij.

Më herët, Haradinaj ishte ndaluar edhe nga autoritetet sllovene, por më pas u la i lirë, shkruajnë mediat kosovare.

Haradinaj u arrestua në aeroportin e Lubjanës së Sllovenisë në bazë të urdhërarrestit të Serbi-Mali i Zi, lëshuar në vitin 2004.

Aktualisht Serbia dhe Mali i Zi janë ndarë nga njëra-tjetra.

Nëpërmjet një komunikate të saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka cilësuar si një “veprim krejtësisht të padrejtë dhe të papranueshëm” ndalimin e Haradinajt.

“U bëjmë thirrje autoriteteve franceze që t’i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane, që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhërarresteve të paligjshme të Serbisë”, thuhet në komunikatë.

AAK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që, siç thotë, “të ndërpresë çdo komunikim me Serbinë deri në momentin që ajo të tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër personaliteteve të Kosovës”./noa.al/