Transmetuar më 02-01-2017, 19:48

Një raport i “Heritage Foundation”, i publikuar së fundi, e rendit Shqipërinë të 13-tën në botë nga 186 ekonomi, në indeksin e Tregtisë së lirë për vitin 2017.

Po ky raport e rendit Shqipërinë të parën në rajonin e Ballkanit, për tregtinë e lirë.

Ky është një tregues domethënës për vendet  që aplikojnë barriera të ulëta tregtare, që ndikon në zgjerimin e shkëmbimeve tregtare dhe rritjen  ekonomike.

Qasja kryesore e këtij indeksi bazohet në peshën që zënë tarifat doganore si dhe barrierat jotarifore.

Sipas sistemit të harmonizuar të nomenklaturës së mallrave për Shqipërinë:

-49% e kësaj liste është me tarifë doganore 0%;

-18% e kësaj liste është me tarifë doganore 2%;

-0.3% e kësaj liste është me tarifë doganore 5%;

-2,4% e kësaj liste është me tarifë doganore 6% ;

-19,3% e kësaj liste është me tarifë doganore 10%;

-12% e kësaj liste është me tarifë doganore 15%;

Shqipëria po punon intensivisht për reduktimin e barrierave jo tarifore dhe thjeshtimin e procedurave doganore.

Për ministren e Ekonomisë, Milva Ekonomi, Shqipëria vlerësohet me një rezultat mbresëlënës, sepse ka çfarë të tregojë.

“Ne si vend anëtar i CEFTA zbatojmë me përpikmëri protokollin për lehtësimin e tregtisë me këto vende, duke filluar nga: Transparenca e ligjeve, rregullat dhe procedurat e tregtisë; Shkëmbimin elektronik te dokumenteve që shoqërojnë mallrat; Njohjen automatike te dokumenteve dhe testeve laboratorike; Unifikimin e orareve në pikat e kufirit etj.”, – thotë Ekonomi.

“Këto vlerësime pozitive nga raportet ndërkombëtare gjatë këtij viti na forcojnë bindjen se reformat e marra janë në drejtimin e duhur”, – thekson ajo. Raporti publikohet çdo vit nga “Heritage Foundation” dhe këtë vit Shqipëria rezulton të jetë i përmirësuar me 20 pozicione në renditje.

Ky indeks, sipas ekspertëve është ndër më prestigjiozët në nivel ndërkombëtar. Megjithatë disa janë skeptikë që, referuar këtij klasifikimi, Shqipëria të ketë arritur të renditet në vend të parë në rajon, pasi në vende të tjera ballkanike, tregtia e lirë shihet të ketë avantazhe të vazhdueshme.

Sakaq, Proçesi i Berlinit, që synon rritjen e ndërlidhjes rajonale, nxit marrjen e masave të tjera në drejtim të lehtësimit të tregtisë me vendet e rajonit, si: Marrëveshje Bashkëpunimi midis agjencive të kufirit për lehtësimin e procedurave doganore; Miratimin e politikës së Riskut në Agjencinë Kombëtare të Ushqimit, si dhe Miratimi i Udhëzimit për Zhdoganimin Lokal.