Transmetuar më 02-01-2017, 14:57

Qeveria njoftoi bujshëm transmetimin në disa televizione të huaja, të spotit publicitar që promovon Shqipërinë, me qëllim nxitjen e turistëve për të ardhur në vendin tonë.

Ministria e Ekonomisë tha se në ditën e ndërrimit të viteve transmetohet në televizionet BBC, Euronews dhe Travel Channel u transmetua spoti promovues “Albania Go your own way”.

Ky spot në fakt ka kohë që transmetohet me fushata në disa TV të huaja, sidomos në Travel Channel.

Në spotin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit paraqiten atraksionet turistike e natyrore të vendit tonë si bregdeti, kultura, historia, turizmi i aventurës, kulinaria e shumë të tjera. “Transmetimi ka nisur në 24 dhjetor në të trija këto televizione dhe jo më kot janë zgjedhur këto dite festive për të reklamuar Shqipërinë tonë. Është koha kur gjithë njerëzit në botë janë në ditët e tyre të pushimit, duke parë ekranet televizive, duke biseduar në familjet e tyre për bilancin e vitit 2016 dhe duke bërë planet për vitin e ardhshëm, pse jo dhe planet për udhëtimet e tyre dhe pushimet ne 2017. Është koha kur agjencitë apo portalet e udhëtimeve lançojnë rekomandimet se ku duhet t’i kalojnë turistët pushimet në 2017. Dhe jo pak herë është sugjeruar Shqipëria në krye të këtyre renditjeve”, – thotë ministria e Ekonomisë.

As AKT dhe as ministria nuk publikuan shifrat se sa ka kushtuar kjo fushatë publicitare në TV e huaja.

Një tjetër pikëpyetje që lind me publikimin e këtij spoti është se çfarë ofron në këtë sezon dimëror Shqipëria për të thithur turistë të huaj.

Praktika ndërkombëtare flet qartë: Në muajt e parë të vitit, sidomos janari dhe shkurti, gjenden biletat më të lira për të fluturuar në vende të ndryshme të Evropës dhe kontinenteve të tjera. Ato arrijnë disa herë më lirë se sezonet e fundvitit dhe deri në 9 euro një drejtim nga një shtet në tjetrin.

Po ashtu hotelet janë shumë të lira në këto dy muaj, duke arritur deri në 10 euro nata në qytetet metropolitane të Europës dhe në SHBA.

Po ashtu, çmimet në dyqane dhe qendra tregtare bien ndjeshëm, sidomos nga vala e uljeve të mëdha që nis në dhjetëditëshin e dytë të janarit e vazhdon deri në fund të shkurtit.

Të gjitha këto, motivojnë shumë turistë që të shfrytëzojnë mundësitë që jepen vetëm në muajt e parë të vitit.

Në Shqipëri, kjo situatë është krejt e ndryshme:

Biletat e fluturimeve nuk pësojnë ulje. Për më tepër vazhdojnë të jenë ende më të shtrenjtat në Evropë duke bërë që motivimi të jetë gjithnjë dhe më i ulët për turizëm në Shqipëri.

Që të udhëtosh nga një qytet italian në Tiranë, vajtje-kthim, duhet të shpenzosh jo më pak se 130 euro ose të paktën pesë herë më shumë se Romë-Barcelonë.

Hotelet, edhe pse shërbimi i tyre lë shumë për të dëshiruar në pjesën më të madhe të tyre, nuk aplikojnë ulje çmimesh. Në Tiranë, një hotel kushton duke nisur nga 95 euro nata për hotelet e mira e deri në 230 euro, duke përfshirë vetëm mëngjesin.

Sa i përket dyqaneve, dihet se turistët e huaj nuk kanë fort nevojë të rendin drejt Shqipërisë edhe nëse tek to, aplikohen ulje çmimesh. /noa.al/