Transmetuar më 02-01-2017, 14:39

Në Shqipëri, është krijuar Fondi i Garancisë Kombëtare i cili për herë të parë në këto 25 vite, akordon 300 milionë euro për fermerët dhe zhvillimin e biznesit të tyre bujqësor e blegtoral.

Kryeministri Edi Rama thotë se ky fond hap një perspektivë të re për fermerët që duan të investojnë në bujqësi, në linja prodhimi dhe përpunimi, por dhe për zhvillimin e prodhimit të tyre bujqësor apo blegtoral.

Por si do të jepen këto para. Ekspertë pranë qeverisë shpjegojnë se shteti do të ketë rolin e garantit, kurse bankat private do të japin paratë në formë kredie.

Ky nuk është një kreditim i zakonshëm, por kreditim i siguruar nga shteti, pra, i garantuar përmes Fondit të Garancisë Kombëtare, ku shteti zëvendëson fermerin.

Në këtë rast, shteti jep garancinë dhe ndërmjetëson mes fermerit e bankës për të marrë kredi të buta, që nga ato me zero interes e deri tek ato me interesa shumë të ulëta.

Këto kredi janë shumë të favorshme për biznesin në fermë.

Nisma shtetërore shihet si në lajm i mirë nga disa fermerë. Ata thonë se shpesh janë përballur me refuzim na bankat për të marrë kredi, pasi kërkesat kanë qenë të shumta, kolaterali taksativ dhe kamatat e kredive, të larta.

Megjithatë, ekspertë të tjerë janë skeptikë për suksesin e nismës. Disa thonë se shumë fermerë mund të marrin kredi duke u vënë garant shteti. Por kjo nënkupton se nëse kreditori nuk shlyen këstet apo totalin e kredisë, është shteti ai që paguan. Dhe kur themi është shteti, kjo do të thotë se do të jenë të gjithë qytetarët taksapagues që mund të detyrohen të paguajnë për disa të tjerë.

Në bankat private, pohojnë se kreditimi i bizneseve bujqësore dhe blegtorale për shumë vite ka qenë minimal. Vitet e fundit ka një shtim të këtyre kredive. Nga ana tjetër ata nuk fshehin shqetësim për faktin se shumë kreditorë nuk shlyejnë kreditë.

Janë me qindra publikime kohët e fundit të ankandeve ku bankat nxjerrin në shitje pronat e vëna nga kreditorët si kolateral.