Transmetuar më 02-01-2017, 10:22

Grupi ekstremist, Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut (ISIS), ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës në një klub nate në Stamboll, në orët e para të Vitit të Ri 2017, nga i cili u vranë 39 vetë dhe u plagosën 69 të tjerë.

Në deklaratën e sotme të Shtetit Islamik thuhet se “një ushtar i kalifatit” e ka kryer sulmin atje ku “festonin të krishterët, mohues të religjionit”.

Të përditshmet turke, Hurriyet dhe Karar, kanë raportuar sot herët në mëngjes se zyrtarët e sigurisë së Turqisë kanë shprehur dyshime për përfshirjen e Shtetit Islamik në këtë masakër.

Gazetat, po ashtu, kanë raportuar se i dyshuari, me gjasë, ishte nga Uzbekistani ose Kirgizia.

Aktualisht, në Turqi po vazhdon kërkimi për personin që kreu këtë sulm. Ai ishte veshur si babagjyshi i vitit të ri kur la të vrarë 39 vetë dhe plagosur 69 të tjerë, në Reina bar dje në Stamboll.

Zyrtarët thanë se 24 prej 39 vetëve të vrarë ishin të huaj. Nga 69 vetë të plagosur gjatë këtij sulmi, 4 prej tyre janë në gjendje kritike.