Transmetuar më 02-01-2017, 10:02

Analisti i njohur, Nexhmedin Spahiu, në një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve IBNA flet për krizën politike në Kosovë, procesin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ai ndalet në themelimin Ushtrisë së Kosovës dhe shpjegon pse sipas tij, nuk duhet të ngutemi me krijimin e saj

Intervistoi: Muamer Mellova / IBNA

IBNA: A mund të prodhojë kriza politike në Kosove zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Spahiu: Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbaheshin me kohë në Kosovë. Sa më shumë ato po vonohen aq më shumë humb kohë vendi. Situata politike nuk është e qëndrueshme dhe kryeministri Isa Mustafa është treguar plotësisht i paaftë që të qeverisë vendin.

IBNA: Le të analizojmë disa nga problematikat. Së pari si e shihni procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe fundin e tij?

Epilogu i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit do të duhej të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Por, se kur do të ndodhë, kjo varet nga shumë faktorë. Bisedimet po karakterizohen nga joserioziteti i palës kosovare. Kurse nga pala serbe shihet sesi ata merren me çikërrima.

IBNA: Çështje tjetër e mprehtë është fati i Ushtrisë së Kosovës. Ç’do të ndodhë me të?

Ushtria e Kosovës nuk është një çështje e ngutshme dhe as e domosdoshme. Kosova nuk është çliruar vetë. Dhe as që do të mund të mbrohet vetë nëse sulmohet. Kosova duhet ta mbështesë mbrojtjen e saj në partneritet me NATO dhe ushtria e saj duhet të jetë konform kërkesave të NATO. Vendi ynë nuk ka nevoje të ketë as edhe një ushtar më tepër apo më pak se sa i kërkohet nga NATO. Kur NATO të vlerësojë se është e nevojshme ushtria e Kosovës, do të bëjë presionin e mjaftueshëm mbi Serbinë që ajo të krijohet.

IBNA: Demarkacioni, është një tjetër çështje serioze. A mund të prodhojë tensione mes Prishtinës dhe Podgoricës?

Jo. Edhe Kosova edhe Mali i Zi, pajtohen që kufiri të jetë aty ku ka qenë më 31 dhjetor 1988. Ka një problem rreth asaj se ku ka qenë ky kufi. Dhe ky problem, është shkaktuar nga joserioziteti i Komisionit kosovar dhe Qeverisë së Kosovës. Por ky problem dikur do të zgjidhet, herët a vonë, në një mënyrë apo tjetër.

IBNA: Procesi i njohjes së Kosovës nga shtetet e ndryshme, a ka ngecur?

Po, ka ngecje. Por ky proces tanimë nuk është i rëndësishëm sepse e kemi kaluar gjysmën e kombeve anëtare të OKB që na kanë njohur. Çështja është se janë 7 kombe të rëndësishme që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Janë 5 kombet e BE-se që akoma nuk e kanë njohur, si dhe Rusia e Serbia. Gjithë të tjerët janë të parëndësishëm për këtë proces. Amerikanët e kane fokusuar presionin e tyre që Serbia ta njohë Kosovën. Pesë kombet e BE-së, pra spanjollët, sllovakët, rumunët, grekët dhe qipriotët, edhe pse zyrtarisht janë aleatë të kombit amerikan, në fakt kanë një ndjenje të dukshme antiamerikane. Dhe në kuadrin e saj, nuk duan të njohin pavarësinë e Kosovës.  

IBNA: Kur do të jetë Kosova një vend i zhvilluar ekonomikisht, një vend i integruar në strukturat euroantlantike?

Unë besoj se brenda 5 deri 10 viteve, Kosova do të jetë anëtare e BE dhe NATO. Por, asnjëherë – të paktën në perspektivë jo të largët – nuk do të jetë e zhvilluar. Megjithatë, shqiptarët e Kosovës në dekadat e ardhshme, individualisht do të luajnë role të rëndësishme nëpër botë.