Transmetuar më 01-01-2017, 18:12

Pas pak muajsh përfundon marrëveshja e Shqipërisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Qeveria shqiptare ka vendosur që të mos ketë më një marrëveshje sipas formatit aktual, por thotë se do të ketë një marrëveshje më të relaksuar.

Marrëveshja merr fund në shkurt 2017. Ndërsa qeveria flet për një marrëveshje me kushte të tjera pas skadimit të asaj ekzistuese, Banka e Shqipërisë paralajmëron se para zgjedhjeve nuk do të ketë një marrëveshje të re.

BoA vlerëson se marrëveshja i ka arritur objektivat e saj, dhe në përgjithësi zhvillimet ekonomike në vend janë orientuar sipas kësaj marrëveshjeje.

Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, thotë se politika monetare stimuluese dhe politika fiskale konsoliduese kanë pasur rezultate në përputhje me marrëveshjen.

Sipas Sejkos, “marrëveshja e ardhshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të duket shumë qartë pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm”.

“Pra, qeveria e re që do të marrë mandatin pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, do të ketë edhe një strategji dhe projekt të sajin për vazhdimin e marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kjo do të ndodhte në çdo vend tjetër. Duke qenë se vitin tjetër ne kemi zgjedhjet, sigurisht që të dy palët nuk do të shikonin me vend lidhjen e një marrëveshjeje para zgjedhjeve, pra me një afat tremujor”, – thotë Sejko.

Ai shton se “pavarësisht nga marrëveshjet që ne mund të kemi me FMN, autoritetet në vend dhe BoA janë të forcuara mjaftueshmërisht për të vazhduar si me marrëveshje ashtu edhe pa marrëveshje arritjen e objektivave të tyre”.