Transmetuar më 01-01-2017, 15:24

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar të subjektit politik Nisma për Kosovën, Jakup Krasnqi, në një intervistë për agjencinë e lajmeve IBNA thotë se, politikat e gabuara të qeverisjes aktuale po rrezikojnë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës. Z.Krasniqi thotë se Gjykata Speciale me seli në Hagë, ia ka marrë sovranitetin e gjyqësorit në Kosovë. Vlerëson se marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, e kanë dobësuar pavarësinë e shtetit. Krasniqi flet edhe për proceset eurointegruese dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi

Intervistoi: Muamer Mellova / IBNA

IBNA: Vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet lokale, por priten edhe ato parlamentare. Çfarë thonë anketat e brendshme dhe ato të shoqërisë civile për “Nismën”?

Krasniqi: Të gjitha anketat e sidomos këto të fundit e paraqesin Nismën si parti në ngritje të vazhdueshme. Nisma ka stabilitet të dukshëm si në planin organizativ dhe atë politik.

IBNA: Ndërsa ende nuk kemi hyrë në proces zgjedhor, Kosova së shpejti do të përballet me Gjykatën Speciale. Po ashtu ajo rrezikon që veriu të ndahet. Probleme të tjera janë dhe ato ekonomike e sociale. Cilët janë planet apo programi i Nismës për Kosovën për zgjidhjen e problemeve të jashtme dhe të brendshme të vendit?

Krasniqi: Po, të gjitha problemet që përmendi, janë prezente në Kosovë. Ekziston rreziku i ndarjes së Veriut të Kosovës, nga ana tjetër kemi deficit të lartë tregtar, izolimi për shkak të mosliberalizimit të vizave, por edhe probleme tjera në arsim e shëndetësi. Të gjitha këto, janë pasojë e qeverisjes se keqe që ka filluar në 2011. Kjo qeverisje e keqe po vazhdon edhe tani. Qeveria është pa objektiva të qarta, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Ajo po e rrezikon sovranitetin e vendit e po ashtu edhe tërësinë territoriale. Gjykata Speciale nga ana tjetër, ia ka marrë Kosovës sovranitetin e gjyqësorit. Ndërsa marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, jo vetëm që nuk e kanë forcuar pavarësinë e Republikës, por e kanë bërë Serbinë pjesë të shumë fushave të jetës në Kosovë. Nga viti 1999, kurrë Serbia nuk ka qenë më prezente se kaq në Kosovë. Kurse, me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, Kosova po rrezikon edhe humbje territoriale.

As në aspektet e brendshme, Kosova nuk ka arritur ndonjë sukses që meriton të evidentohet. Nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka investime, punësimi është në rënie drastike me gjithë premtimet marramendëse në fushatën zgjedhore. Edhe arsimi është para një dështimi dëshpërues kurse shëndetësia mbetet në gjendje të mjeruar. Këto kanë bërë që vlerësimi i qytetarëve të jetë në nivelin më të ulët në të gjitha vitet e pasluftës.

Në Programin tonë socialdemokrat kemi nënvizuar se liria, drejtësia, barazia dhe solidariteti, janë vlerat që u duhen qytetarëve tanë. Përveç këtyre, shteti i së drejtës, shteti i zhvilluar, shteti i dijes dhe shteti i drejtësisë sociale, janë objektivat tona politike e programore. Ne dimë dhe do të marrim vendime të rëndësishme për vendin, por na duhet besimi qytetar. Në shoqëritë demokratike, besimi i qytetarëve është domosdoshmëri.

IBNA: Cila është zgjidhja e Nismës për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, proces që po pengon liberalizimin e vizave?

Krasniqi: Kuvendi duhet t’i thotë jo Projektligjit për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që të hapin mundësit e reja të veprimit. Pra Projektligji duhet t’i nënshtrohet votimit në Kuvendin e Kosovës. Këto janë procedurat që duhet të ndodhin. Çdo formë tjetër nuk është zgjidhje e problemit.

IBNA: Kur mendoni se Kosova do të jetë një vend i zhvilluar ekonomikisht dhe pjesë e NATO e BE?

Krasniqi: Kur Kosova te bëhet shtet i së drejtës, shtet i njerëzve të dijshëm, shtet i zhvilluar dhe shtet i drejtësisë sociale. Ky koalicion qeverisës nuk mund dhe nuk do që t’i japë Kosovës dhe qytetarëve të saj më shumë se kaq sa ka dhënë deri më tani.