Transmetuar më 01-01-2017, 13:26

Në Shqipëri, ka nisur një debat për rritjen e pagës minimale të detyruar, mbi të cilën mund të sigurohen punonjësit.

Nisma e qeverisë për të rritur pagën minimale me 1000 deri në 2000 lekë nuk ka dakordësinë e biznesit edhe pse më herët u fol se mund të shkonte në 30 mijë lekë nga 22 mijë që është aktualisht.

Gjergji Gjika, kryetari i dhomës së fasonistëve të Shqipërisë, sektor që numëron mbi 100 mijë të punësuar, thotë se ka argumente kundër rritjes së pagës minimale. Ndryshe nga ministri i financave që vlerëson se rritja modeste e pagës minimale nuk ndikon në konkurueshmërinë e bizneseve,

Gjika thotë se rritja e palidhur me produktivitetin do t’i dëmtoje sipërmarrësit.

Sipas tij, kjo lëvizje mund të bëhet pasi të jetë i përcaktuar ligjërisht minimumi jetik. 

Aktualisht paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore është 22 mijë lekë dhe nuk ka ndryshuar prej tre vitesh.

Debati për rritjen e pagës minimale lindi menjëherë pasi qeveria rriti me 26 për qind pagën minimale për punonjësit e shtetit.

Sipas qeverisë, paga minimale e punonjësve në sektorin shtetëror do të jetë jo më pak se 37.5 mijë lekë ose 280 euro në muaj.

Ministri i Financave, vlerëson se rritja e pagës minimale nuk ndikon në konkurrueshmërinë e bizneseve.

Ndryshe mendojnë tregtarët që kanë biznese të vogla, kryesisht dyqane në qytete të ndryshme të vendit. Ata kanë biznes kryesisht personal dhe familjar dhe janë të vetëpunësuar.

Rritja e pagës minimale mbi të cilën bëhet sigurimi i detyueshëm shoqëror dhe shëndetësor, shihet prej tyre si rritje e barrës fiskale, pavarësisht deklaratave qeveritare se taksat kanë pësuar ulje të ndjeshme.