Transmetuar më 30-12-2016, 00:39

Veliaj: Plani i jep Tiranës një identitet të ri urbanistik. Buxheti 2017, më ambiciozi që është miratuar ndonjëherë

Këshilli Bashkiak i Tiranës, miratoi sot Planin e Përgjithshëm Vendor “TR030” dhe Buxhetin e vitit 2017, i cili sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, do të jetë më i madhi i këtyre viteve.

Të dy këto dokumente kanë marrë votat e shumicës në Këshillin Bashkiak, me votat e PS dhe LSi.

Në prezantimin e Planit të Përgjithshëm Vendor para Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ky dokument projekton Tiranën e së ardhmes si një hapësirë europiane.

Ai tha se plani synon t’i japë Tiranës një identitet të ri urbanistik.

Velia shpjegoi se plani i ri ka 5 shtylla kryesore: “Së pari, plani e trajton densitetin e qytetit në funksion të rritjes së efikasitetit të infrastrukturës, diversitetit të shërbimeve dhe ndryshimit të qasjes ndaj lëvizshmërisë; Së dyti, ndryshimi i qasjes ndaj mobilitetit dhe lëvizshmërisë së njerëzve dhe mallrave në qytet; Së treti, rizhvillimi dhe rigjenerimi i qytetit; Së katërti, ruajtja e territorit bujqësor dhe natyror dhe Pylli Orbital si një kufi i ndërtimit pa kriter dhe së pesti, zhvillimi ekonomik, turistik dhe bujqësor i periferisë”.

Kreu i Bashkisë tha se përveç qendrës ekzistuese, strategjia dhe vizioni për Tiranën e vitit 2030 parashikon edhe 6 qendra të tjera urbane të cilat do të funksionojnë si pole alternative e autonome shërbimesh e ekonomike.

Detajet për Planin e ri vendor

Plani i Përgjithshëm Vendor parashikon në total 13 projekte strategjike që përbëjnë dhe komponentin strukturor të Planit. Më konkretisht parashikohet: Projekti i Pyllit Orbital; Projekti i Oazëve natyrorë; Unaza e 2 dhe e 4; Projekti i Parkut Botëror; Unazat e gjelbra dhe blu; Epiqendrat e Tiranës policentrike; Shkollat e hapura; Ruajtja e pasurise arkitektonike të shekullit XX.; Sistem i ri bujqësor dhe rrjet i ri i tregjeve për fermerët; Transporti me cilësi të lartë; Rrjeti i korsive dhe mobiliteti; Tirana për të gjithë, qytet i aksesueshëm dhe Plani parashikon edhe një investim në energjinë e rinovueshme në të ardhmen.

Buxheti i 2017

Këshilli diskutoi dhe miratoi Buxhetin e vitit 2017. Veliaj tha se buxheti i vitit të ardhshëm është më ambiciozi, pasi për herë të parë Tirana do të ketë një buxhet prej 15, 3 miliardë lekë. Ai theksoi se buxheti i ri mbështet më shumë investime, ndërsa nuk sjellë asnjë rritje taksash dhe tarifash për qytetarët.

Kryebashkiaku shpjegoi se 39% e këtij buxheti do të shkojë për investime publike, 32% për shpenzime operacionale dhe 29% për shpenzime administrative. 

Sipas buxhetit të miratuar, gjatë vitit 2017 do të riparohen 48,000 m2 të infrastrukturës ekzistuese. Përveç investimeve në rrugica e blloqe banimi, do të riparohen rreth 24,000 m2 trotuare. Duke i dhënë përparësi sigurisë në rrugë, në projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës parashikohet që gjatë vitit 2017 do të synohet rikualifikimi tërësor i gjithë infrastrukturës horizontale dhe vertikale.

Gjithashtu, do të pajisen me sinjalistikën e nevojshme korsitë e autobusëve urbanë në unazën e mesme dhe unazën e vogël, si edhe në disa prej rrugëve që lidhen me to. Përgjatë këtyre dy unazave dhe në rrugët që lidhin ato do të krijohen korsitë e biçikletave e do të pajisen me sinjalistikën përkatëse”. 

Kreu i Bashkisë premtoi se vëmendja do të jetë edhe tek shërbimet publike vendore, ku përfshihen pastrimi, gjelbërimi, ndriçimi, etj. Gjatë vitit 2017, përparësi do t’i jepet edhe gjelbërimit dhe hapësirave çlodhëse. Kësisoj, është planifikuar mbjellja e pemëve dhe bimësisë dekorative, si edhe pajisja me kosha mbeturinash dhe stola, në 33 rrugë, 13 blloqe banimi dhe 15 lulishte. 

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe krijimit të këndeve sportive të reja apo rehabilitimit të atyre ekzistuese. Gjithashtu, përsa i përket sportit, do të zbatohet edhe një projekt për të krijuar klasat sportive në çdo shkollë të Tiranës. Gjatë vitit 2017 parashikohet edhe ndërtimi i 17 shkollave të reja përmes ngritjes së një skeme të partneritetit publik privat. Vëmendje maksimale do t’i kushtohet ngrohjes në objektet arsimore, ku është parashikuar rehabilitimi i infrastrukturës dhe vendosja në efiçencë të plotë i ngrohjes në 208 shkolla 9-vjeçare e të mesme dhe 69 kopshte në të 24 njësitë bashkiake që përbëjnë Tiranën. /noa.al/