Transmetuar më 29-12-2016, 23:07

Shqipëria dhe shqiptarët po e përjetojnë prej shumë vitesh varfërinë, por tre vitet e fundit, ajo është e kombinuar me vrasjen e shpresës, thotë lideri i opozitës, Lulzim Basha.

Në një intervistë të transmetuar sonte në Tv Klan, z.Basha tha se 2016 ka qenë një vit sfidash të jashtëzakonshme për të si kryetar i opozitës, por edhe si qytetar. “I kam rënë Shqipërisë cep më cep dhe kam parë njerëzit në varfërinë e tyre, braktisjen e tyre, pamundësinë e tyre”.

Gjithsesi varfëria ka qenë aty edhe me më përpara, sepse nuk i ka lindur këtij vendi 3 vitet e fundit.

Por z.Basha thotë se ajo që po ndodh vitet e fundit, është edhe më dramatike. “Ka qenë, por e kombinuar me vrasjen e shpresës që është një risi e këtyre 3 viteve dhe e theksuar në veçanti në vitin e fundit, është një dramë, një gur që të varet rëndë në shpirt”.

Droga, një problem serioz.

Për kryetarin e opozitës, droga dhe lidhja e saj me politikën është çështje serioze me pasoja afatgjata.

Ai përmendi rastin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në Dibër, kur sipas tij, PD humbi për shkak se votat u blenë me presion narkotik.

“Zgjedhjet në Dibër treguan se krimi ishte bërë kaq i fuqishëm me mbështetje qeveritare dhe politike saqë jo vetëm influenconte por asgjësonte procesin politik. Pra nga njëra anë shohim program, me kandidat, me fushatë, me një përpjekje klasike për të bindur njerëzit për të votuar për alternativën tënde, dhe në fund e kupton që e gjitha ishte një përpjekje që përballë nuk kishte simotrën e vet të kampit kundërshtar por kishte krimin e kamufluar”.

Basha thotë se ajo që ndodhi në Dibër pritet të jetë një problem i madh edhe në zgjedhjet e ardhshme.

“Shkatërrim i procesit politik nga krimi është problem i jashtëzakonshëm. Është sfida më e madhe që kanë sot shqiptarët sepse është sfida që nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjet e ardhshme por ka të bëjë me mundësinë apo pamundësinë për të ndryshuar jetët e njerëzve, për të ndryshuar Shqipërinë. Zgjedhjet çfarë janë?! Janë një mundësi për të ndryshuar për më mirë. Pra shkatërrimi i zgjedhjeve dhe i procesit politik, shkatërrimi i ofertave dhe i garës është në fakt përpjekja me tinzare e këtyre 26 viteve për të asgjësuar shpresën e shqiptarëve se janë ata që kanë në dorë ndryshimin dhe jo një dorë njerëzish”.

Në këtë pikë, a ka një alternativë? Z.Basha përgjigjet: “Alternativë tjetër përveç fuqizimit të qytetarit, kthimit të vendimmarrjes tek qytetari dhe jo tek një grup politikanësh, kriminelësh dhe oligarkësh për Shqipërinë, nuk ka dhe nuk do të ketë. Për këtë është e domosdoshme që Shqipëria të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jo vetëm kaq, por që tu ofrojë qytetarëve një sistem përfaqësimi ku qytetarët përfaqësohen nga deputetët dhe deputetët përfaqësojnë qytetarët përpara se të përfaqësojnë vullnetet politike të kryetarëve të partisë”.

Basha thotë se kjo kërkon një reformë të thellë kushtetuese dhe shton se zgjedhje të lira me Ramën në krye të qeverisë nuk mund të ketë: “Urgjenca numër një është ndarja e politikës nga krimi. Urgjenca numër dy paralelisht me këtë, është të sigurojmë zgjedhje të lira e të ndershme. Në bindjen time, zgjedhje të lira e të ndershme me këtë kryeministër nuk ka dhe nuk mund të ketë ndaj beteja dhe sfida që na pret është që t’i japim Shqipërisë instrumentet që çdo shqiptar të vendosë pa frikë, pa shantazh, pa shitblerje, si e do ai formën e qeverisjes dhe cilit program dëshiron t’i besojë me votë dhe cilin deputet kërkon të zgjedhë në Kuvendin e Shqipërisë”. /noa.al/