Transmetuar më 29-12-2016, 19:41

Kryetari i qeverisë, Edi Rama, ka firmosur nvendimin për shkarkimin nga detyra për kryetarin e Bashkisë së Kavajës.

Kjo është shkresa e dytë brenda këtij viti, që z.Rama firmos për Elvis Rroshin, i evidentuar si person me të shkuar të bollshme kriminale.

Herën e parë, z.Rama e pezulloi nga detyra Rroshin kur ai dha dorëheqjen më 31 maj 2016. Atëherë, z.Rama u mjaftua vetëm me ngrirjen e përkohshme të Rroshit duke mos ia pranuar një dorëheqje definitive.

Rama shprehu keqardhje në fund të majit kur Rroshi u dorëhoq pasi doli shkresa nga gjykata italiane se ishte dënuar për përdhunim në grup: “Nuk kam pasur pse ta fsheh respektin për punën e jashtëzakonshme të Elvis Roshit për Kavajën, e cila sot është kthyer në një shembull të shkëlqyer transformimi. Por fatkeqësisht sot, një verifikim i thelluar ka nxjerrë në dritë një fakt deri tani krejt të panjohur dhe të papërfolur ndonjëherë për Elvis Roshin, për të cilin nuk është lënë gënjeshtër pa treguar. Elvis Roshi është dënuar në moshë të mitur në Itali nga gjykata e të miturve! Jam i keqardhur, por aspak i lëkundur në bindjen time se kur hyn në mes një problem me drejtësinë, vendimmarrja s’ka si të ketë më asnjë ngjyrë tjetër përveçse bardhezi. Kam qenë dhe mbetem i prerë në këtë pikë: Fajësinë nuk e caktojnë partitë as mediat po gjykatat. Gjithkush sulmohet me opinione kriminalizuese të pambështetura në fakte po në shpifje, meriton solidaritet. Ama gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për çfarëdoqoftë apo qëndruar në një detyrë publike që ka. Kjo ka qenë linja ime në këtë aspekt shumë më përpara se sa të kalonte ligji i "dekriminalizimit", kjo është linja jonë edhe sot. Kur një fakt i provuar nxjerr në pah një problem që i takon drejtësisë, pushteti ynë nuk futet kurrë mes drejtësisë dhe cilitdo ndër ne. Duke e konsideruar të përfunduar shërbimin e Elvis Roshit si kryetar i Bashkisë së Kavajës, do të vazhdoj ta mbështes me gjithë zemër projektin ambicioz të Rilindjes Urbane të Kavajës”, – u shpreh atëherë z.Rama.

Por pak ditë më vonë, Rama lejoi vazhdimin e detyrës së Rroshit i cili anuloi dorëheqjen e tij.

Duket se ajo që Rama tha më 31 maj se kishte marrë fund, vetëm sot po gjen zbatim. Rroshi nuk do të jetë më kryetar i bashkisë së Kavajës pasi mandati i ti u shpall më herët gjatë ditës i pavlefshëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Gjithsesi, Rroshi mësohet se do të mbetet në detyrë derisa të përfundojë procesi i ankimimit i paralajmëruar nga avokati i tij, ish Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Ndaj derisa sa të shprehet Gjykata Kushtetuese Rroshi do të mbetet në detyrë.

Dhe vetëm pas kësaj, Presidenti i Republikës ka detyrën që të dekretojë datë zgjedhjesh të parakohshme për kryetarin e ri të bashkisë së Kavajës.