Transmetuar më 29-12-2016, 19:26

Të paktën 15 mijë shqiptarë janë larguar nga Gjermania pasi dështuan në përpjekjen e tyre për një jetë më të mirë, duke kërkuar strehim dhe punë në vendin e pasur evropian.

Zyra për Migrim dhe Refugjatë e Republikës Federale të Gjermanisë, publikoi shifrat duke pohuar se në total gjatë vitit që po mbyllet, 55 mijë emigrantë nga vende të ndryshme të botës, e kanë lënë Gjermaninë në mënyrë vullnetare.

Këta janë më shumë se dyfishi i emigrantëve që janë dëbuar nga autoritetet gjermane gjatë vitit 2016.

Emigrantët shqiptarë që janë rikthyer në vendlindjen e tyre, pohojnë se realisht nuk ka pasur kthim vullnetar, pra me dëshirë, por të imponuar nga autoritetet gjermane.

Ata tregojnë se u janë refuzuar mundësitë për qëndrim të ligjshëm në Gjermani.

Shumë prej tyre aplikuan për azil ekonomik por aiu iu refuzua.

Të tjerë aplikuan për azil të mbështetur mbi trauma sociale dhe rreziqe individuale. Pjesa më e madhe e tyre janë pranuar të qëndrojnë, të paktën për një afat të pacaktuar.

Pas dështimit të kërkesave për azil, emigrantëve iu është akorduar mundësia për kthim pa shpenzimet e tyre në vendlindje ndaj janë organizuar disa fluturime charter. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Harald Neymanns tha sot se financimi i përgjithshëm i miratuar për kthimin e emigrantëve këtë vit ishte 21.5 milionë euro.

Në vitin 2015, 890,000 azilkërkues kanë hyrë në Gjermani. Jo më pak se një e dhjeta e tyre ishin shqiptarë.

Ata që arrijnë nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kryesisht nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani.

Për shumë nga shqiptarët që janë rikthyer në vendlindjen e tyre, braktisja e ëndrrës evropiane është shoqëruar me plagë sociale. Ata thonë se e përjetojnë në mënyrë dramatike humbjen e shansit për një jetë më të mirë dhe kthimin e tyre në një vend ku varfëria është kaq e përhapur dhe shpresa, sipas tyre, në venitje gjithnjë e më të madhe.