Transmetuar më 29-12-2016, 12:19

Qeveria shqiptare synon një plan investimesh prej një miliard eurosh në 3 vitet e ardhshme, i cila do t’i japë një shtysë shumë të madhe për ekonominë e vendit.

Kryeministri Edi Rama, gjatë edicionit të katërt të ndarjes së çmimeve “Bleta e Artë 2016”, paralajmëroi shifrat që i konsideroi si investim agresiv për ekonominë shqiptare.

“Ne jemi përgatitur për të injektuar në ekonomi një shumë prej 1 miliard eurosh në 3 vitet e ardhshme, shumë, e cila, sipas projeksioneve tona, mund ta nxisë rritjen ekonomike, përtej rritjes së parashikuar, deri në 6 e plus për qind, në varësi nga kapaciteti ynë ekzekutiv” tha zoti Rama.

Sipas tij bëhet fjalë për një program shumë ambicioz investimesh në infrastrukturën rrugore, investimesh në infrastrukturën arsimore, investimesh në infrastrukturën shëndetësore, në bashkëpunim me sipërmarrjen.

“Synimi ynë është që të nxjerrim nga bankat sa më shumë likuiditet dhe ta vendosim në dispozicion të ekonomisë përmes këtij programi transformues në infrastrukturë. Jemi të bindur që do të na japë mundësinë që në harkun kohor të 4 viteve të ardhshme rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë një bum i mirëfilltë” tha z. Rama.