Transmetuar më 26-12-2016, 10:59

Ndahet nga jeta në moshën 68- vjeçare aktori i njohur shqiptar Bujar Lako. Ai gjeti vdekjen mëngjesin e sotëm si pasojë e një ataku kardiak.

Pavarësisht çdo tentative për t’i ardhur në ndihmë, Lako gjeti vdekjen. Aktori i ndjerë është vlerësuar me titujt “Nderi i kombit” dhe “Artist i merituar”.

Kush është Bujar Lako

Bujar Lako lindi në Tiranë më vitin 1948. Është një aktor i mirënjohur shqiptar.

Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës”. Pas kësaj ai realizon një sere figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni”, “Udha e shkronjave”, “Ballë për ballë”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime”, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez.

Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve “Vizita e inspektorit”, “Monserati”, “Vdekja e një komisionari”, “Vdekja e Dantonit”, “Ditë vere”, “Ariu” etj. Në vitin 1992 interepretoi në Teatrin e Kombësive ne Shkup në produksionin “Varrtarët” .

Në vitin 1975 nderohet me çmimin e veçantë për filmin “Përballimi”. Në vitin 1979 çmimin e veçantë për filmin "Ballë për ballë". Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori më i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni”.

Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës se parë, për filmat “Gjeneral gramafoni” dhe “Ballë për ballë”. Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin "Naim Frashëri" klasi i parë, për interpretim në teatër. Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori më i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin "Kthimi i ushtrisë se vdekur".

Në vitin 1985 fiton titullin “Artist i Merituar”. Në vitin 2005 ka marë "Palmën e artë" si aktori më i mirë i festivalit në edicionin e 29 "Cairo International Film Festival" me filmin "Megic Eye" të regjisorit Kujtim Çashku. Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorisë A.

Në vitin 2013 iu dha titulli “Nder i Kombit” nga Presidenti i republikës./a.y/noa.al