Transmetuar më 23-12-2016, 21:22

Një incident ndodhi para pak minutash në Pallatin e Kongreseve teksa kishte nisur nata finale e Festivalit të 55-të të Këngës në RTSH.

Prezantuesja Ledina Çelo, njoftoi spektatorët në sallë dhe teleshikuesit, se një personazh i rrallë dhe i shumëpritur rikthehej për herë të parë në skenë pas një kohe të gjatë.

Ajo u largua nga salla, për t’i lënë radhën të ftuarit/ës special.

Në sallë pllakosi errësira dhe nuk u bë e qartë nëse në skenë kishte mbërritur apo jo i ftuari/a.

Ilaritet u shkaktua në sallë dhe kjo zgjati për disa minuta.

Më tej, festivali u ndërpre. RTSH vuri në transmetim reklama dhe spote të programeve të tij, pa bërë asnjë njoftim.

Kjo zgjati disa minuta.

Më tej transmetimet u rikthyen. Ledina Çelo lajmëroi se ishte një defekt teknik. Më pas ajo ribëri prezantimin. Në skenë nuk erdhi asnjë i ftuar.

Megjithatë ishte moment drithërues. U transmetua një nga këngët e të famshmes Vaçe Zela. Kështu, për herë të parë në Shqipëri me teknikën e halogramës është sjellë ikona e muzikës shqiptare Vaçe Zela.

Pas shume viteve mungesë Vaçe Zela ishte e “gjallë” duke përshëndetur  shikuesit dhe teleshikuesit me hitin e saj “Moj e bukura Shqipëri”.

Shfaqja u duartrokit gjatë nga publiku.  

E konsideruar këngëtarja më e madhe e muzikës së lehtë shqiptare Vaçe Zela, me karrierën e saj të shtrirë në disa dekada, ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek publiku. Ajo u nda nga jeta në moshën 75 vjeçare.

Festivali vazhdoi me konkurrimin e 14 finalistëve mes të cilëve zgjidhet fituesi që do të prezantojë Shqipërinë në Eurosong. /noa.al/