Transmetuar më 23-12-2016, 17:13

Bashkia e Tiranës do t’i presë Krishtlindjet me një koncert festiv që do të organizohet në sheshin “Nënë Tereza”. Koncerti që nis ditën e shtunë, datë 24 dhjetor, në orën 18:00, do të sjellë në shesh artistë të njohur shqiptarë, si Kastriot Tusha, Marjana Leka, Armando Kllogjeri, formacioni Fatos Qerimaj, Banda e Tiranës por edhe korin e fëmijëve apo orkestrën dhe korin e Liceut Artistik.

Krahas këngëve të njohura të Krishtlindjeve, në koncertin festiv nuk do të mungojnë as perla të muzikës botërore si “New York- New York”, “You know I am no good” por edhe këngët shqiptare, si “Moj e bukura more” apo “Kur më vjen burri nga stani”.

Tenori Armando Kllogjeri dhe sopranoja Majrana Leka nën shoqërinë e orkestrës së UniArteve dhe korit të Liceut Artistik do të sjellin për kryeqytetasit edhe pjesë të zgjedhura nga opera “Turondot” e Giacomo Puçini-t apo opera “La Traviata”e Giuseppe Verdit.

Atmosfera e festës do të përcillet më së miri nga kori i fëmijëve të cilët do të sjellin një kolazh të këngëve të Krishtlindjeve, ndërsa koncerti do të mbyllet me një video promocionale për Tiranën, por dhe urimin e kryetari të Bashkisë, Erion Veliaj për çdo qytetar të Tiranës por edhe Shqipërisë në këtë fundvit.