Transmetuar më 23-12-2016, 10:04

KONKURROJMË ME VESHJET: Ndonëse shqiptarët shpenzojnë gjysmën e të ardhurave për ushqime dhe europianët 12.3%, kur bie puna te veshjet e këpucët janë të pakursyer, harxhojnë gati njësoj…

Sa më i varfër të jetë një vend, aq më shumë shpenzon popullsia e tij për t’u ushqyer, ndërsa lë mënjanë kënaqësi të tjera, si pushime, argëtim, udhëtime, kafe e restorante.

Nëse krahason se për çfarë i shpenzojnë paratë shqiptarë në krahasim me mesataren e BE-së disbalancat në nivelin dhe stilin e jetesës janë të dukshme, në drejtim të ushqimeve, transportit, argëtimit, restoranteve etj., me përjashtim të veshjeve, ku konkurrojmë bindshëm.

“Monitor” ka bërë një krahasim të strukturës së shpenzimeve të familjeve shqiptare dhe atyre të BE-së, duke u nisur nga Anketa e Buxhetit të Familjeve 2015 të INSTAT dhe anketës së familjeve të BE-së, të publikuara nga INSTAT, të matura të dyja sipas nomenklaturës  COICOP. (Classification of Individual Consumption According to Purpose- Klasifikimit të Konsumit Individual sipas Qëllimit).

Të dhënat tregojnë që ndërsa familjet shqiptare shpenzojnë gati gjysmën e shpenzimeve (48.7%) për ushqime dhe pije jo-alkoolike, konsumatorët në vendet e BE-së mjaftohen vetëm me 12.3% të buxhetit për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme të të ushqyerit të një jetese normale.

Për BE-në si një e tërë, ashtu si dhe për pjesën më të madhe të shteteve anëtare (me përjashtim të Estonisë, Lituanisë, Maltës dhe Rumanisë) e zë grupi “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira”, me 23.8% të ndjekur nga ‘Transporti’, me 13.1% dhe grupi ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ është i treti, ndryshe nga ai i familjeve shqiptare që zë pjesën më të madhe.

Me gjysmën tjetër të buxhetit, që u mbetet pasi konsumojnë për nevoja ushqimore, familjet shqiptare kanë pak alternativa zgjedhjeje. Ndryshe nga europianët, që për argëtim dhe kulturë shpenzojnë gati 9% të buxhetit, për familjet shqiptare kjo peshë është vetëm 3%. Edhe për restorante europianët harxhojnë 8.2% të parave, nga 3.6% për shqiptarët (gjithsesi në Shqipëri, në vlerë absolute, të drekosh në një restorant është shumë më lirë se në vendet e tjera të Europës).

Por, kur vjen puna tek veshjet, shqiptarët, sidomos të rinjtë nuk kursehen. Të lira, apo të shtrenjta, veshjet më në modë hyjnë me shpejtësi në dyqane dhe po aq me shpejtësi shihen dhe në rrugë. Ndërsa europianët shpenzojnë 5.1% të buxhetit për veshje e këpucë, për shqiptarët shifra është e ngjashme, prej 4.9%.

Hapja e universiteteve private dhe rritja e tarifave të universiteteve shtetërore ka shtuar shpenzimet e shqiptarëve në 2.1% të buxhetit, ndërsa për europianët është 1.1%. Jo se këta të fundit nuk preferojnë të arsimohen, por kanë më shumë alternativa me arsimin publik.

Për shëndetin, shpenzimet janë të ngjashme, 3.6% në Shqipëri dhe 3.7% në vendet e BE-së.

Si u rrit pesha e shpenzimeve për ushqime në 2015

Familjet shqiptare rritën më 2015 shpenzimet për konsumin e ushqimeve me 4,4 pikë përqindje në krahasim me 2014-n. Tendenca për të ulur shpenzimet e tjera dhe fokusi drejt ushqimeve është treguesi më i qartë se familjet shqiptare po varfërohen dhe shqetësimi kryesor i tyre është sigurimi i nevojave bazë të jetesës. Ky është një kthim mbrapa, teksa në dekadën e fundit, pesha e shpenzimeve për ushqime kishte ardhur veçse në ulje.

Në vendet e BE-së, sipas të dhënave historike të INSTAT, pesha e shpenzimeve për ushqime ka mbetur në rreth 12%, që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat.

Diferencat mes vendeve të BE-së

Sipas Eurostat, në BE, për sa i përket shpenzimeve për banesë, ujë, elektricitet, gaz apo të tjera lëndë djegëse, raportin  më të lartë e kishte  Danimarka (29.4%  të totali të shpenzimeve), Finlanda (28.2%) dhe Franca (26.4%), ndërsa raportin më të vogël e kishte Malta (10.1%), Lituania (15.8%) dhe Qipro (16.6%).

Për sa i përket shpenzimeve për ushqime dhe pije jo-alkoolike, raportin më të lartë të tyre e kishte Rumania (29.4% të totalit të gjithë shpenzimeve), Lituania (23.4%)  dhe Estonia (20.7%), ndërsa raportin më të ulët ndaj totalit të shpenzimeve për këtë grup e kishte Mbretëria e Bashkuar (8.3%), Luksemburgu (9.4%) dhe Irlanda (9.5%).

Në lidhje me shpenzimet për Transport, raportin më të lartë ndaj totalit të gjithë shpenzimeve e kishte Sllovenia (16% të totalit), Luksemburgu (15.8%) dhe Lituania (14.6%), ndërsa më të ulëtin e kishte Sllovakia (7.5%), Republika Çeke (9.3%) dhe Spanja (10.8%).