Transmetuar më 21-12-2016, 21:47

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ka nisur nata e parë e Edicionit të 55-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, i konsideruar prej vitesh si një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës së lehtë shqiptare.

Në këtë natë publikut i paraqiten 12 këngët më të reja të muzikës së lehtë shqiptare.

Ato u përkasin rrymave të ndryshme muzikore, fryt i bashkëpunimeve midis emrave të njohur, por edhe të rinj të muzikës shqiptare.

Prezantues të festivalit janë këngëtarja Ledina Çelo dhe aktori Kasem Hoxha.

Orkestra e RTSH drejtohet nga Jetmir Barbullushi. 

“Them që ka këngë të cilat do të krijojnë një garë interesante në natën e tretë, këngë që janë të bukura dhe besoj do të ketë edhe një material si në çdo festival konkurrenca do të jetë mjaft e fortë”, – tha Barbullushi para nisjes së festivalit.

Pjesë e këtij festivali jubilar do të jetë dhe një emër i njohur i muzikës shqiptare, kompozitorja dhe pedagogia e akademisë së arteve Eriona Rushiti. Këtë herë ajo nuk do të jetë pjesë e jurisë siç jemi mësuar ta shohim në disa edicione të mëparshme, por kompozitore konkurrente.

“Është shumë më ndryshe të prekësh emocionin, konkurrencën, dhe duket që konkurrenca është shumë e fortë këtë vit. Vërej një larmi të madhe rrymash, stilesh, timbresh muzikore. Kam përshtypjen se është bërë një përzgjedhja shumë e mirë gjë që ne na vështirëson garën”, – tha Rushiti.

Këtë vit, këngëtarja më e re në moshë është e talentuara Adea Demaliaj. “Fakti që jam shumë e lumtur që do debutoj në këtë festival është thjesht arsyeja që do jetë live pasi unë e dashuroj live-in dhe është ajo ndjesia që ti çdo gjë që e dëgjon është e gjallë dhe e ndjen më shumë si këngën ashtu edhe publikun prandaj dhe kisha kaq shumë dëshirë të merrja pjesë”, – u shpreh këngëtarja Demaliaj. 

Festivalin direkt mund ta ndiqni këtu