Transmetuar më 21-12-2016, 21:41

Ministrja aktuale e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pritet të jetë kandidatja e mazhorancës së majtë për Presidente e Republikës.

Në këtë mënyrë, zonja Kodheli mund të jetë nga vera e vitit të ardhshëm, e para Presidente femër në historinë e Presidencës shqiptare.

Në muajin maj 2017, do të zhvillohet votimi në Parlament për emrin e ri të kreut të shtetit. Në procesin e votimit, nëse raundet e para nuk arrihet shumicë prej 84 votash, votash, i hapet rruga votimit me shumicë të thjeshtë. Në këtë mënyrë, 71 vota janë të mjaftueshme që zonja Kodheli të shpallet Presidente e Republikës.

Duket se zonja Kodheli do të jetë përballë presidentit aktual, Bujar Nishani, i cili ka njoftuar shpalljen e kandidaturës për një mandat të dytë presidencial, pasi ligji lejon deri në dy mandate.

Nishani mund të ketë vetëm mbështetjen e opozitës në zgjedhjet presidenciale, ndaj në një përballje të mundshme me Kodhelin, shihet të jetë humbës.

Zonja Kodheli, pritet të japë dorëheqjen nga posti i ministres së Mbrojtjes, detyrë qe e mban prej më shumë se tre vjetësh.

Në daljet e fundit publike, zonja Kodheli e ka paralajmëruar largimin nga ministria e që drejton. Sikurse publikon sot himara.gr, në një takim së fundi me drejtorin e përgjithshëm të KIA që vizitoi këto ditë Shqipërinë, zonja Kodheli foli mbi punën trevjeçare si ministre e Mbrojtjes dhe arritjet e kësaj periudhe, kurse ka deklaruar se “në vitin 2017 nuk e shoh më veten si ministre e Mbrojtjes”, pa vijuar me detaje të tjera.

Megjithatë burimet në kampin qeveritar bëjnë të ditur se dorëheqja e zonjës Kodheli, lidhet pikërisht me planin për ta kandiduar drejt Presidencës. /noa.al/