Transmetuar më 20-12-2016, 17:56

Përbërësit për 20 biskota:

Për brumin e bardhë

300 g miell 1 vezë 180 g gjalpë të ftohtë i prerë në copa të vogla 100 g sheqer 1 lugë të vogël pluhur pjekës për ëmbëlsira 1 lugë të vogël ekstrat vanilje

Për brumin me ngjyrë

300 g miell 150 g gjalpë 100 g sheqer 1 vezë 1 lugë të vogël pluhur pjekës për ëmbëlsira 1 lugë të vogël ekstrakt vanilje 2 lugë qumësht 4 lugë kakao 1 lugë të vogël ngjyrues ushqimorë në xhel

Përgatitja:

Fillimisht përgatisni brumin e bardhë duke i përzierë të gjithë përbërësit në mikser derisa masa të rërëzohet, hiqeni, punojeni me duar dhe formoni një top. Mbështilleni me qese kuzhine dhe vendoseni në frigorifer të pushojë. Për brumin me ngjyra punoni miellin me gjalpin, vezët, pluhurin pjekës, sheqerin dhe ekstraktin e vaniljes derisa të rërëzohet.

Pastaj ndajeni në dy pjesë të barabarta. Njërën pjesë përziejeni me kakaon dhe qumështin dhe formojeni në top, mbështilleni me qese dhe lëreni edhe këtë të pushojë në frigorifer.

Pjesën tjetër përziejeni me ngjyruesin dhe vendoseni në frigorifer të pushojë. Merrni brumin e bardhë dhe ndajeni në dy pjesë të barabarta.

Formojeni si një masë drejtkëndore dhe hapeni me ndihmën e pak mielli dhe letrave të kuzhinës me trashësi 1 cm dhe të gjatë aq sa mendoni që mjafton, diku te 25 cm. Të njëjtën gjë bëni edhe me brumin e kuq. Hapeni në të njëjtën madhësi sa brumi i bardhë. Vendoseni brumin e kuq sipër të bardhit.

Jepini një të kaluar të lehtë me okllainë sipër sa të ngjiten paksa me njëri – tjetrin dhe nga kjo masë brumi si tullë prisni shirita me trashësinë e gishtit tregues. Përdridheni me duar dhe jepini formën e shkopit të sheqerit. Vendoseni në një tavë me letër furre poshtë. Vazhdoni kështu edhe për pjesën tjetër të brumit. Piqini në furrën e ngrohur më parë në 180°C për 15 minuta.

Kthehemi përsëri te pjesa e mbetur e brumit duke hapur fillimisht atë të bardhin, pastaj atë me kakao. Mundohuni sa me pak miell  këtë radhë pasi brumi me kakao është pak më i fortë se i bardhi dhe do thahet më shumë.

Bëni përsëri dy drejtkëndorë me formë të njëjtë dhe bashkojini me njëri-tjetrin, ngjesheni paksa me okllai që të lidhen dhe pritini në shirita sa trashësia e treguesit, shkruan blitz. Përdridhini dhe vendosini në një tavë me letër furre poshtë. Piqini po në 180°C për 15 minuta. Pasi janë pjekur të dyja biskotat lërini të ftohen plotësisht para se t’i varni te pema e Viti Të Ri.