Transmetuar më 17-12-2016, 23:18

Në rrjete sociale qarkulloi një foto që sikundër “u shit” nga publikuesit, tregonte një vajzë duke mbajtur flamurin grek përballë disa qindra shqiptarëve me flamuj kuqezi, në një aktivitet nacionalist në Shqipëri.

Por fotoja që noa.al jua sjell këtu, në fakt është pa montazh, por lehtësisht e kuptueshme që është vetëm një gafë.

Flamuri grek ndodhet në makinën diplomatike të autoriteteve greke gjatë një vizite në Shqipëri dhe nuk është aspak duke u mbajtur nga vajza greke që në rrjetet sociale është etiketuar si “Bubullima” greke. Madje ajo është një fotografe dhe në momentin që është shkrepur kjo foto ka qenë duke fotografuar shqiptarët me flamuj kuqezi ndërsa pranë tyre kalonte makina diplomatike greke.

Fotoja ka rrëmbyer me dhjetëra mijë pëlqime dhe shpërndarje në rrjetet sociale, sidomos Facebook dhe Instagram dhe vajza u etiketua si “bubullima” apo dhe “heroina” greke raporton noa.al.

Por fare pak prej tyre u treguan të kujdesshëm që ta vëzhgojnë pak foton e të kuptojnë se nuk bëhet fjalë për ndonjë nacionalizëm por thjesht për idiotizëm.

Vetë mediat greke, e kanë etiketuar një gafë dhe idiotizëm të fansave reagimin ndaj kësaj fotoje.

E ishin mediat sociale ato që e “shitën” në mënyrë të tillë foton: “Kjo është heroina jonë. Ngriti flamurin grek në mes të Shqipërisë, përballë qindra banditëve shqiptarë me flamuj kuqezi”, shkruhet në përshkrimet me nota fyese ndaj shqiptarëve, që u shpërnda 22300 herë kjo foto nga vetëm një profil në Facebook e shumë herë të tjera nga faqe të tjera po në Facebook. /noa.al/