Transmetuar më 13-12-2016, 23:54

Një këshillë e mirë nga i famshmi Mark Twain (Tuein) ka qenë dhe mbetet: “Mos bëni parashikime, sidomos për të ardhmen”.

Këshilla e Tuein duket aktuale në çdo kohë dhe këtë e pranon edhe kryeministri Edi Rama.

Por ai thotë se ka edhe përjashtime, duke iu referuar zgjedhjeve të qershorit dhe integrimit të vendit në BE.

Rama sfidoi sonte nga kryeministria, shkrimtarin e famshëm Mark Twain, duke thënë se në rastin e Shqipërisë, ai do të gabojë.

“Mark Twain na ka paralajmëruar shumë kohë më parë, sesa të gabonin institutet e sondazheve. “Nuk duhet të bëjmë parashikime sidomos për të ardhmen,”- thotë ai dhe meqë nuk ka mundësi të na dëgjojë sot dhe nuk ka mundësi as të më kundërshtojë, do të doja të guxoja që të parashikoja se bazat që kemi hedhur në këto tre vjet e pak janë një garanci që vitin e ardhshëm, i cili do të jetë dhe një vit zgjedhor, ku ne sigurisht do të kërkojmë të ripërtërijmë kontratën me qytetarët, ne të marrim ende më shumë rezultate nga reformat dhe pa diskutim të kemi një rritje ekonomike dhe më të ndjeshme, në radhë të parë për familjet që kanë nevojë ta ndiejnë në arkën e tyre këtë rritje.  Ashtu sikundër dua të guxoj të shkoj deri në pikën që të parashikoj se çdo bëjë Bashkimi Europian me ne, vitin e ardhshëm. Besoj se Bashkimi Europian vitin e ardhshëm do të vendosi datën për çeljen e negociatave, në momentin që ne do të tregojmë një numër të mjaftueshëm gjykatësish e prokurorësh që janë nxjerrë një herë e përgjithmonë nga pallati i drejtësisë”.

“Unë kam shumë besim se ne do t’ia dalim dhe kam shumë besim se në rastin e Shqipërisë, edhe vetë Mark Twain do të dalë i gabuar në paralajmërimin e tij se nuk është mirë të bëjmë parashikime sidomos për të ardhmen”.

Rama tha se bindja e tij se Tuein e ka gabim në rastin e Shqipërisë, përforcohet edhe më shumë, për faktin sipas tij, se ne jetojmë “në një vend të paparashikueshëm”.

“Kështu që për ne ka ardhur momenti që në një botë gjithmonë e më e paparashikueshme të jemi mjaftueshmërisht të zotë, që të parashikojmë si duhet të ardhmen tonë. Dhe unë jam i bindur që parashikimi do të dalë”, – tha Rama në pritjen e fundvitit me ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Shqipëri. /a.b/noa.al/