Transmetuar më 13-12-2016, 12:00

Tiranë, 13 dhjetor 2016, NOA.al- Kryeministri Edi Rama, deklaron se tre reforma të rëndësishme kanë garantuar kthesën që ka marrë vendi, të cilat janë reforma në energji, në pensione dhe lufta kundër informalitetit.

Duke folur mesditën e sotme gjatë firmosjes së marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore për haunë 63.8 milionë për investimet në sektorin e turizmit, kreu i qeverisë deklaroi se objektiv është që deri në 2025 në këtë sektor të jenë të punësuar 250 mijë shqiptarë.

Ai bëri me dije se projekti do të prekë dy qendra strategjike si Gjirokastra dhe Berati, Sarandën si portë hyrëse për turizmin, do të vazhdojë me Butrintin, si qendër me rëndësi strategjike dhe do të shtrihet në Përmet, ku sipas tij, ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik.

Në vijim shtoi se ka një rritje të ndjeshme të turizmit, nga 2014 deri në 2015 me gjysmë milioni, ndërsa në 2016 rritja është me 20%.

“Turizmi ka impakt në punësim, sot 51 mijë të punësuar, por ne mund të shkojmë në 250 mijë të punësuar në 2025. Askush nuk ka dyshim për mbylljen e mandatit të dytë, do ta ushtrojmë me përgjegjësi”, tha Rama.

Sipas tij, reformat e ndërmarra janë zvarritur dhe vonuar për shumë vite duke krijuar kosto dhe pasoja të cilat mund të ishin shmangur nëse do ishin bërë më parë./a.y/noa.al